Televizioni mund të shkaktojë populizëm
Këto kohë, bota është kaq konfuze politikisht, saqë është e kollajtë të mendosh se politike janë edhe arsyet që e bëjnë të tillë. Po sikur të jenë shumë më të thjeshta? Po sikur, për shembull, një prej arsyeve të valës së populizmit në vitet e fundit – Trump, Brexit, ngjitja e të djathtës ekstreme në Evropë – të jetë fakti që zgjedhësit kanë parë kaq shumë televizion “llozhurash”, dhe kjo i ka lënë me mendje fëmijërore? Eshtë e neveritshme qoftë edhe ta mendosh këtë gjë, duke qenë se bën lojën e paragjykimit metropolitan, sipas të cilit gjysma tjetër është gjithmonë më budallaqe.
Por një studim rigoroz dhe i mbushur me shifra, e bën më të vështirë hedhjen poshtë të kësaj ideje. Autorët kanë studiuar përhapjen e kanaleve të grupit Mediaset në Itali, dhe kanë zbuluar se, personat të cilët që në fëmijëri kanë parë më shumë filma me kartona, telenovela dhe quize, kanë 10 përqind më shumë shanse që të votojnë për partitë populiste, për shkak se prej aftësive të tyre të vogla njohëse, janë më të prirur që t’u besojnë politikanëve që ofrojnë teza thjeshtësuese.
Studimi, i botuar në American Economic Revieë, është mbresëlënës edhe për teoritë që hedh poshtë. Eshtë e kollajtë të mendosh që, duke ditur se Mediaset i përket Silvio Berlusconit – djali i të cilit është sot drejtor i përgjithshëm – programet e tij janë përdorur për të bërë propagandën e të djathtës. Por në periudhën e studiuar, në rrjetet e tij kishte shumë pak programe informimi, dhe sidoqoftë “efekti Mediaset” ka funksionuar edhe në favor të lëvizjes rivale të tij në krahun e majtë, “5 Yjeve” të Beppe Grillos: ishte populizmi dhe jo berluskonizmi që u stimulua.
Një çështje mundësish
Mendoni që mes atyre që kanë ndjekur Mediaset dhe partive populiste nuk ka asnjë lidhje? Përhapja graduale gjeografike e sinjalit të televizioneve gjatë viteve tetëdhjetë i hapi udhë një “eksperimenti natyror”, që e përjashton këtë mundësi. Të vegjlit dhe të rinjtë e zonave ku ishte më e vështirë të merrje sinjalin e Mediasetit, kanë qenë më pak të ndikuar. Pasoja e kësaj ishte që, personat të cilët kaluan më shumë kohë duke parë programet përfunduan duke patur më pak aftësi konjitive dhe më pak sens qytetar, përveçse morën rezultate më të këqia në provat e matematikës dhe kuptimit të një teksti.
Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se kjo lloj “mpirjeje” nuk ndodh për shkak se televizioni i keq i budallalleps njerëzit. Eshtë një çështje mundësish: çdo orë që kalon duke parë një film vizatimor të pavlerë, është një orë që ia vjedh leximit, eksplorimit të botës fizike apo shikimit të një programi edukues. E njëjta gjë vlen për videolojërat, rrjetet sociale dhe kështu me radhë. Nuk është e thënë të jenë “llozhura” për të qenë të dëmshme, mjafton të na pengojnë që të bëjmë diçka më të mirë.
Kjo më sjell në mendje teoricienin e medias Neil Postman, i cili thoshte se të ardhmen tonë e parashikoi saktësisht “Bota e re” e Aldous Huxley, më shumë se sa “1984”-a e George Orwellit: ajo që do të na shkatërronte, do të ishte varësia jonë nga kënaqësitë e padobishme, më shumë se sa represioni shtetëror.
Por ky studim i kohëve të fundit tregon se kishin të drejtë që të dy, duke qenë se kënaqësitë në dukje të padobishme kontribuojnë për të na bërë llojin e njerëzve që preferojnë udhëheqësit autoritarë. Na kujton gjithashtu se nuk duhet të përjashtojmë disa shpjegime të caktuara, mbi fenomenet politike dhe sociale, vetëm për shkak se na tingëllojnë snob-e. Fakti që një teori konfirmon atë që e mendojmë tashmë nuk e bën atë të drejtë, por as domosdoshmërisht të gabuar.
The Guardian – Bota.al