Telekomit i bllokohen sërish llogaritë

Telekomit i bllokohen sërish llogaritë

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se se sërish i janë bllokuar llogaritë nga Përmbaruesi Privat, për rastin Z-Mobile.  Aty thuhet se bllokimi i llogarive është bazuar në vendime të padrejta dhe të ndikuara politikisht.

“Pas refuzimit të Prapësimit të Urdhrit Përmbarimor që lidhet me arbitrazhin në rastin “Dardafon 2” (Z-Mobile) nga ana e Gjykatës Komerciale, dje, më datë 03.10.2024, Përmbaruesi Privat me të pranuar këtë Aktvendim vetëm brenda një ore, i ka bllokuar të gjitha llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës. Ky bllokim i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës nga ana e Përmbaruesit Privat është i bazuar në vendime tërësisht të padrejta, andaj Telekomi i Kosovës do të vazhdojë të kundërshtojë këto vendime që janë pasojë e një kohe dhe një keq menaxhimi të ndikuar skajshëm nga politika e asaj kohe edhe nga interesa të fuqishme private”, thuhet në njoftimin e Telekomit.

Në njoftimin e tij thuhet se Përmbaruesi Privat po synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit rreth 12 milionë euro.

Nga Telekomi është thënë më tej se pavarësisht kallëzimin penal dhe denoncimit të kontratës, askush nga zyrtarët e personat e përfshirë nuk ka dhënë llogari para gjykatës.

“Siç është i informuar publiku tashmë, ky rast është pasoja e dytë më e madhe e një kontrate tejet të dëmshme të vitit 2009, përmes së cilës Telekomi i Kosovës, deri tani, përveçse është dëmtuar financiarisht me mbi 100 milionë euro, është detyruar padrejtësisht të paguajë edhe mbi 60 milionë euro të tjera përmes proceseve gjyqësore që ishin kurdisur përmes kësaj kontrate. Me këtë bllokim të llogarive Përmbaruesi Privat synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit të Kosovës, dhe për interes të Z-Mobile, edhe rreth 12 milion euro borxh kryesor”.

Shpërndaje në: