Telekomi nuk e mohon se vëllau i Burbuqe Hanës po fotografon punonjësit: Keni të drejtë, ka kohë që ka një kontroll të shtuar
Telekomi i Kosovës ka reaguar pasi Periskopi raportoi se Burim Hana, vëllai i kryeshefes së Telekomit të Kosovës po i fotografon e incizon punonjësit në pikën në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’.
Një veprim i tillë nuk u mohua nga Telekomi, por vetëm u forcua edhe më shumë fakti se janë shtuar kontrollet ndaj punonjësve.
“Përndryshe, për kontekstin brenda tekstit, keni plotësisht të drejtë, tani më në Telekom ka kohë që ka një kontroll të shtuar në të gjitha objektet e saj, për t’u siguruar se zyrtarët janë në vendet e tyre të punës dhe në krye të detyrave të tyre”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë:
Se pari, duam të qartësojmë se fotoja e dërguar te ju nga “burimi juaj i brendshëm”, është plotësisht jashtë kontekstit të temës së mbarëvajtjes në punë dhe nuk ka të bëjë asgjë me shpifjet e juaja lidhur me z. Burim Hana, për më tepër duke e ofenduar dhe quajtur “spiun” të Kryeshefes Ekzekutive.
Përndryshe, për kontekstin brenda tekstit, keni plotësisht të drejtë, tani më në Telekom ka kohë që ka një kontroll të shtuar në të gjitha objektet e saj, për t’u siguruar se zyrtarët janë në vendet e tyre të punës dhe në krye të detyrave të tyre. Fatmirësisht, më nuk është e mundur si më herët që dikush të marrë rrogë nga Telekomi i Kosovës Sh.A dhe të mos vijë asnjëherë në punë (por dikush tjetër të nënshkruhet në vend të tij/saj), apo të dalë nga vendi i punës kur t’i teket dikujt. Konsiderojmë se kjo ishte e mundur pasi që ata/ato ishin punësuar vetëm për t’u dhënë pagë, e jo për shkak se kompania kishte nevojë për ta/to.
Gjithashtu, për një kohë të gjatë, një pjesë e madhe e stafit, nuk kanë qëndruar fare në vendet e tyre të punës, por vetëm janë lajmëruar dhe kanë dalë për t’u angazhuar me punët e tyre private. Kjo është toleruar nga menaxhmentet e kaluara, por nuk lejohet tani, sepse qëllimi është një dhe i vetëm: rimëkëmbja e Telekomit.
Pas vitit 2020, kjo praktikë ka filluar të çrrënjoset dhe po bëhen përpjekje të mëdha që kushdo që merr pagë në kompani duhet të punojë dhe kontribuojë për kompaninë. Për më tepër, punëtorët e Telekomit tashmë janë shumë më të motivuar edhe për të dhënë më të mirën nga vetja, në funksion të ngritjes së kompanisë së tyre.
Mbi bazën e këtyre zhvillimeve në Telekomin e Kosovës Sh.A, pra instalimit të procesit të mbarëvajtjes në punë, mbetet krejtësisht e paqartë, se çfarë i sugjerohet publikut ndryshe me artikullin e juaj?
Sidoqoftë, ju falënderojmë që, edhe pse në mënyrë indirekte, e keni informuar lexuesin e juaj se Telekomi nuk e toleron mungesën nga puna dhe mospunën. Ne e sigurojmë publikun se për të siguruar prezencën e stafit në punë, Telekomi nuk ka nevojë për “spiunë”, sepse ka pajisje që regjistrojnë hyrjet/daljet, si dhe personel që verifikon vërtetësinë e të dhënave. Për më tepër, çdo menaxher është i obliguar të sigurohet që stafi i tij është në orar të punës dhe i përmbush detyrat e punës.
Për fund, nëse ndonjëherë vendosni të shkruani korrekt për Telekomin e Kosovës Sh.A, apo kurdoherë që doni të verifikoni faktet para se të shkruani, jemi në dispozicionin e juaj për të prezantuar informatat e verifikuara të cilat i kemi apo kemi të drejtë ligjore t’i ndajmë me ju!
Burbuqe Hana, vëllaun e bën ‘spiun’ në Telekom, ai i fotografon punonjësit