Telekomi i Kosovës ndërpret ristrukturimin, Ministria e Ekonomisë i kërkoi sqarime
Procesi i ristrukturimit në Telekomin e Kosovës ka hasur në pengesa të reja, pasi Ministria e Ekonomisë ka kërkuar sqarime shtesë lidhur me këtë proces. Burbuqe Hana, kryeshefe ekzekutive e Telekomit, e cila kishte marrë mandatin me premtime të mëdha për reforma, e gjeti veten përballë sfidave të mëdha për ta zbatuar këtë ristrukturim. Sipas planit të aprovuar fillimisht nga Bordi i Drejtorëve, ishte parashikuar eliminimi i dhjetë pozitave të drejtorëve dhe 25 pozitave të zëvendësdrejtorëve. Megjithatë, procesi që pritej të përfundonte deri në fund të vitit 2022, nuk ndodhi. Ai është ndalur plotësisht për më shumë se një muaj e gjysmë, ndërsa pritet që Ministria e Ekonomisë të japë sqarime dhe udhëzime të mëtejme pas sqarimeve që do të merrte nga ndërmarrja. Ndërkohë, nga Telekomi kanë insistuar se ristrukturimi nuk është ndalur, por faktet e fundit flasin ndryshe.
Me strukturën e re organizative, të cilën në parim e kishte pranuar Bordi i Drejtorëve i kësaj ndërmarrjeje, parashihet shuarja e shumë pozitave.
Demokracia.com ka mësuar se procesi është ndalur që rreth një muaj e gjysmë, me një urdhër të Ministrisë së Ekonomisë, e cila ka kërkuar disa sqarime shtesë nga Telekomi.
“Dihet se është ndalur ristrukturimi i pozitave në Telekomin e Kosovës, pasi Ministria Ekonomisë ka kërkuar disa sqarime. A mund të na thoni se çfarë sqarimesh keni kërkuar nga Telekomi dhe kur do të rikthehet përsëri procesi i ristrukturimit?”. Ministria e Ekonomisë nuk është përgjigjur akoma në këtë pyetje, e cila u është drejtuar më 10 maj.
Nga Telekomi kanë thënë se procesi i ristrukturimit nuk është ndalur.
“Ju njoftojmë se procesi i ristrukturimit të brendshëm të Telekomit të Kosovës nuk është ndalur, por jemi në proces e sipër, në fazën e përmbylljes së procedurave për konkurset e publikuara si dhe në përgatitjen e dokumentacionit të duhur për vazhdimin e publikimeve të reja sipas planifikimit. Procesi do të vazhdoj me përfundimin (përgatitjen) e dokumenteve të duhura për publikim të konkurseve”, ka thënë Fadil Lepaja, U.D. Drejtor për Relacione me Publikun në Telekomin e Kosovës.
Megjithatë, faktet flasin ndryshe nga ajo që deklaron Telekomi i Kosovës.
Nga 15 marsi 2024 nuk ka pasur më asnjë konkurs në këtë ndërmarrje.
Konkursi i fundit ka qenë për 5 lloje të pozitave në Drejtorinë e Marketingut edhe Shitjes. Pra, gjatë këtij viti ka pasur konkurse të shpallura më 17 janar, 14 shkurt, 23 shkurt, 1 mars, 8 mars, 15 mars.
Kryeshefja e Telekomit të Kosovës është përzgjedhur në dhjetor 2022, ndërsa drejtorët e drejtorive në qershor 2023. Nga qershori 2023, ka pasur konkurse vazhdimisht për pozitat e tjera, duke shkuar sipas hierarkisë. Në çdo muaj ka pasur konkurse që nga qershori 2023 deri më 15 mars 2024.
Zyra për media e Telekomit të Kosovës kishte bërë të ditur se sipas skemës së deritashme organizative, në nivelin më të lartë menaxherial të ndërmarrjes kanë qenë 14 drejtori/departamente, të cilat i kanë raportuar drejtpërdrejtë kryeshefit ekzekutiv. Të gjitha këto njësi thuhet se kanë qenë të udhëhequra nga drejtorët përkatës dhe, në shumicën e tyre, nga dy e më shumë zëvendësdrejtorë. Përveç tyre, theksohet se në Zyrën e Kryeshefit Ekzekutiv kanë qenë shumë pozita të larta të këshilltarëve, menaxherëve dhe zyrtarëve të lartë. Sipas strukturës së re organizative, zyra për media ka bërë të ditur se numri i drejtorive/departamenteve të vendosura në rrafshin e parë menaxherial do të reduktohet në 4 drejtori edhe në Zyrën e Kryeshefit Ekzekutiv, që theksohet se do të jetë dukshëm e optimizuar sa i përket përbërjes, por pa cenim të funksionalitetit.
Mes të tjerash, në strukturën e re organizative theksohet se nuk parashihet të jenë fare 3 drejtori, ndërsa drejtoritë/departamentet e tjera dhe funksionet e tyre të nevojshme nuk do të shuhen, por do të vendosen në drejtoritë përkatëse, sipas skemës së re organizative.
Ristrukturimi parasheh, siç është paraparë, eliminimin e vendeve të paqarta, të panevojshme ose të shumëfishuara të punës në ndërmarrje./Demokracia.com