Telegram lançoi Telegraph, një plaformë anonime blogimi
Telegram ka vendosur të shkojë përtej të qënurit një aplikacion komunikimi. Ditën e sotme kompania lançoi një platformë publikimi me tipare të ngjashme me Medium dhe Quip, quajtur Telegraph.
Ajo që e bën të veçantë këtë platformë është mënyra e funksionimit pa një llogari. Sapo të keni vizituar uebfaqen telegra.ph mund të filloni të shkruani menjëherë atë që dëshironi duke i vendosur edhe një titull.
Pasi të keni përfunduar shtypni butonin “Publish” në skajin e djathë lart dhe përmbajtja do të jetë aty. E përshkruar si një mjet publikimi nëpërmjet të cilit mund të krijoni përmbajtje të pasura, foto dhe elementë të tjerë të ndërfaqes e bëjnë Telegraph akoma edhe më interesant.
Postimet tuaja mund të përmbajnë video nga Youtube dhe Vimeo, cicërima nga Twitter thjesht duke kopjuar dhe ngjitur linkun. Imazhet në kompjuterin tuaj gjithashtu mund të bashkëngjiten artikullit.
Duke qenë Telegraph nuk e ofron qasjen përmes një llogarie, opsioni i vetëm për editimin e përmbajtjeve është duke vizituar linkun unik, sigurisht nëse kompjuteri juaj ka ruajtur “cookie-t.”
Pse Telegram e krijoi këtë aplikacion? Mbase kompania e ndjeu se 100 milion përdoruesit kanë nevojë prë më shumë sesa thjesht një aplikacion komunikimi.
Gjithashtu kompania gjeti rastin të debutonte veçorinë “Instant Views,” në funksion i ngjashëm me Accelerated Mobile Pages (AMP) dhe Facebook Instant Articles dizenjuar për të reduktuar kohën e qasjes brenda një artikulli.