Tefik Mustafës i caktohet masë paraburgimi prej 30 ditësh
Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Beograd, ia ka caktuar shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafës, masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
“I pandehuri M.T është i akuzuar për kryerje të krimeve të luftës kundër popullatës civile, si bashkëkryes”, është thënë në vendim.
Sipas vendimit, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit.
Vendimi do të mund të apelohet pas tre ditëve të hyjes në fuqi të vendimit.
Tefik Mustafa është arrestuar më 1 qershor nga autoritetet serbe, nën dyshimet për “krime lufte”.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë më 1 qershor se Mustafa “anëtar i Ushtrisë Çlimtare të Kosovës, është përmendur nëpër deklarata të dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e zyrtarëve policorë, Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 afër Llabjanit, në magjistralen Prishtinë-Gjilan, dhe më pas u janë zhdukur gjurmët”.
Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.
Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.
Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe e kanë arrestuar shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Durakun, nën dyshimet e njëjta, në njërin prej pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi.
Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen e tij.
Duraku është arrestuar në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe ia ka caktuar masën e paraburgimit po atë muaj.
Më herët gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës./rel