Teatri Kombëtar mbyll sezonin artistik, spektatori i mbështeti, por drama shqipe mungoi

Teatri Kombëtar mbyll sezonin artistik, spektatori i mbështeti, por drama shqipe mungoi

Në sezonin artistik 2016-2017, pati 8 premiera me autorë të mëdhenj, që nga antikët te bashkëkohorët. Në të njëjtin sezon publiku mundi që të shijonte vepra të Servantesit, të Aristofanit, Havelit, Shafferit e Hygoit në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Mbyllet sezoni artistik për vitin 2016-2017 në Teatrin Kombëtar me një nga sukseset më të mëdha të sezonit. Bëhet fjalë për shfaqjen “Equus”, e cila shënoi një sukses të padiskuteshëm. Më herët ishte diskutuar që sezoni artistik të mbyllej me shfaqjen “Pushteti i Grave”, por kërkesat e publikut bënë që të rikthehej edhe njëherë shfaqja “Equus”. Në sezonin artistik 2016-2017, pati 8 premiera me autorë të mëdhenj, që nga antikët te bashkëkohorët. Në të njëjtin sezon publiku mundi që të shijonte vepra të Servantesit, të Aristofanit, Havelit, Shafferit e Hygoit në skenën e teatrit. Të gjitha këto vënë në skenë nga regjisorë shqiptarë e të huaj. Kalendari gjithashtu është alternuar edhe me shfaqje të tjera private, festivale, lexime veprash etj. Risia e këtij sezoni ishte dhe prania e dy regjisorëve të huaj, Eric Vigner, regjisorit francez, i cili rikthehet për të dytën herë në Shqipëri, si dhe boshnjaku Dino Mustafiç. Por, sërish drama shqipe ishte në mungesë. Në këtë sezon kishim edhe rikthimin e aktores Luiza Xhuvanit në veprën ‘Lukrecia Borgia’ e Viktor Hygo, me regji të Eric Vigner, ndërsa në janar rikthimin e Luli Bitrit, e cila, pas interpretimit në ‘Vrasja e Maratit’, erdhi me një tjetër rol dhe u vendos përfundimisht në Shqipëri dhe në Teatrin Kombëtar.

Ka qenë komedia e zezë “Kujtesa e ujit”, të dramaturges angleze Shelagh Stephenson, me regji të Rozi Kostanit, që ngriti perdet e Teatrit Kombëtar për sezonin artistik 2016-2017. Kjo shfaqje premierën e pati më 15 shtator, ndërsa për realizimin e premierës ishin bashkuar forcat e regjisores Rozi Kostani dhe aktoreve Rajmonda Bulku, Neritan Licaj, Olta Daku, Jonida Vokshi, Marin Orhanasi dhe Violeta Trebicka. Një tragji-komedi, e cilësuar si komedi e zezë, ku shpaloste dhimbjen e rritjes së tre motrave, që mblidhen në një shtëpi të përmbytur për funeralin e nënës së tyre dhe që shndërrohen në peng të së shkuarës. Koncepti regjisorial e çoi më tej mesazhin e veprës dhe i dha një koherencë më të madhe duke e përshtatur dhe për publikun tonë. Një shfaqje e ardhur mjeshtërisht bukur nga Rozi Kostani dhe aktorët, të cilën këtë gjë arriti ta përcillte dhe publiku. Kjo shfaqje u ndoq nga “Familja Tot”, e cila ishte premiera e dytë për këtë sezon në skenën e Teatrit Kombëtar. Pas komedisë “Kujtesa e ujit” dhe rikthimit të dramës “Sonte do të luajmë pa tekst”, skena kombëtare mirëpriti një komedi hungareze të përzgjedhur. Një shfaqe që ka patur një vlerësim pozitiv në tërësinë e saj. Shfaqja ka udhëtuar gjithashtu edhe në Teatrin Kombëtar të Prishtinës dhe ka patur edhe aty një pritshmëri të mirë. Ndër emrat e aktorëve që u ngjiten në skenë ishin Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Olta Daku, Indrit Çobani, Sokol Angjeli, Adelina Muça etj, shkruan Standard.

Ky vit gjithashtu shënoi edhe 400 vjetorin e vdekjes së nobelistit Miguel de Servantes dhe pikërisht për këtë, për herë të parë në Teatrin Kombëtar të Tiranës u ngjit në skenë shfaqja ‘Don Kishoti’ e Servantesit. Të dramatizosh librin e librave, “Don Kishotin e Mançës”, dhe ta sjellësh atë në skenën teatrale për herë të parë ishte një sfidë, që regjisori Klajdi Ymeri e paraqiti suksesshëm para publikut. Shfaqja erdhi si premierë më 11 nëntor në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Në këtë shfaqje luajtën aktorët: Don Kishoti nga Romir Zalla, Sanco Panca nga Gentian Zenelaj dhe Albana Sancolli, Laert Vasili, Adelina Muca, Gert Ferra, Valina Mucolli, Amos Muji Zaharia, Alesia Xhemalaj si dhe me pjesëmarrjen e veçantë të sopranos Arlinda Morava.
Në datën 9 dhjetor, u shfaq premiera komedia e zezë “Opera për tre grosh”, në variantin e Havelit, me regji të Mehmet Xhelilit. Vepra ngjiti në skenë një numër të madh aktorësh, ndër të cilët Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Adelina Muça, Olta Gixhari, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj, Erjona Kakeli, Anila Bisha, Rajmonda Bulku etj. Dublantet, që alternojnë nga shfaqja në shfaqje (Niada Saliasi – Laura Nezha dhe Adelina Muça – Olta Gixhari) sollën një freski të këndshme artistike për të gjithë ata që e panë shfaqjen dy herë. Një shfaqje që përçoi emocione të forta.

Skena e teatrit për këtë sezon ishte në kulmin e emocioneve dhe mbërthente publikun pas vetes. Fill pas “Opera për tri grosh”, ku publiku mori emocione të forta, e prisnin edhe emocione të tjera akoma më të forta, pasi në skenën e Teatrit Kombëtar u ngjit “Equus”, një nga shfaqjet me kontroversale që magjepsi skenën dhe publikun. Kjo vepër inteligjente nën autorësinë e Petter Shaffer, e cilësuar si kryevepra e tij, foli shqip në Tiranë, falë një regjisori boshnjak Dino Mustafiç. “Equus” ngjiti në skenën e këtij teatri dhe zbuloi aktorin e ri dhe plot talent Igli Zarkën,i cili erdhi në një performancë të shkëlqyer të personazhit kryesor Alan Strangut. Një aktor që duhet duartrokitur. Për të ngjitur “Equus” në skenën e Tiranës, Mustafiç kishte zgjedhur pa dyshim ndër aktorët më të mirë të skenës shqiptare. Që nga Timo Flloko në rolin e psikoanalistit Martin Dysart, tek Ema Andrea në rolin e zonjës Strang, mamaja e Alanit dhe Arben Derhemi partneri i saj ne rol, Luli Bitri në rolin e gjykatëses, Eriona Kakeli në rolin e infermieres dhe Lulzim Zeqja në rolin e pronarit të stallës. Përmes kësaj premiere Mustafiç ftoi publikun për një reflektim mbi lirinë. Si vepër e autorit Petter Shaffer “Equus” në Shqipëri korri një sukses jashtëzakonisht të madh si vepër e teatrit bashkëkohor dhe me siguri të plotë ajo mban trofeun e këtij sezoni artistik, ku sallat kanë qenë plot dhe duartrokitjet kanë zgjatur për rreth 20 minuta. “Equus” ishte një shfaqje që zgjaste edhe përtej duartrokitjeve, përtej skenës së teatrit. Por më e bukura e kësaj shfaqje që s’duhet lënë pa përmendur është rikthimi i publikut për ta riparë për të disatën herë shfaqjen “Equus”.

Pas “Equus” erdhi një tjetër produksion, një komedi brilante, erdhi “Pushteti i Grave”, vepra e Aristofanit i cilësuar si babai komedisë, vënë në skenë nga regjisori i njohur Spiro Duni. Në këtë komedi interpretuan aktorët Flaura Kureta, Naun Shundi, Laert Vasili, Elia Zaharia, Helidon Fino, Ardian Cerga, Klodian Hoxha, Rajmonda Bulku, Gladiona Harizaj, Luljeta Hoxha, Ligoraq Riza, Sokol Angjeli, Karafil Shena, Gjergj Mena, Niada Saliasi, Dori Çaushi dhe Julinda Emiri. Një shfaqje që erdhi për të goditur demagogjinë dhe premtimet e pafund të atyre që lakmojnë pushtetin e së nesërmes.

Premiera e fundit për sezonin artistik 2016-2017 në Teatrin Kombëtar ishte “Lukrecia Borxhia”. Kjo vepër riktheu në Tiranë regjisorin francez Eric Vigner, i cili 10 vjet më parë ka realizuar po në sallën e Teatrit Kombëtar komedinë “Berberi i Seviljes”, nën interpretimin e të ndjerit Roland Trebicka, Helidon Finos e Luiza Xhuvanit. Ai për këtë shfaqje zgjodhi një grua që zotëron skenën, si protagonistë, Luiza Xhuvani, që veshi petkun e Lukrecia Borxhias. Përpos rikthimit në skenën e Teatrit Kombëtar të Luiza Xhuvanit, regjisori francez ringjiti në skenë dhe aktorin Artan Imami në rolin e Don Alfonsit. “Lukrecia Borxhia” është kryevepra dramaturgjike e Viktor Hygosë. Një vepër e konsideruar si “teatër për popullin”, plot emocione të forta, që ngeli gjatë në kujtesën e publikut. Ka qenë pikërisht kjo shfaqje që bëri për herë të parë teatri shqip të udhëtojë drejt Parisit. Për herë të parë në historinë e teatrit tonë, një trupë shqiptare do të performojë në Paris, në Teatrin Palace, me shfaqjen “Lukrecia Borxhia” më datat 12-15 nëntor.

Në fillim të sezonit artistik ishte planifikuar që të ngjitej në shkurt në skenën e teatrit edhe vepra e Shekspirit, saktësisht vepra “Makbethi” , por publikut i duhet të presë për sezonin tjetër.

E veçanta e këtij sezoni artistik ishte edhe aktiviteti “Quhem Ballkan” nën drejtimit e Ema Andrea. Ky aktivitet solli në Tiranë dramaturgjinë bashkëkohore Ballkanike me aktorë të njohur të skenës. Ata prezantuan në formën e leximit skenik, të përkthyer në gjuhën shqipe, veprën e njëmbëdhjetë dramaturgëve nga Ballkani. Ky takim i dramës bashkëkohore ishte një tentativë për të bashkuar dhe për të njohur më shumë shkrimin dramatik të rajonit të Ballkanit. Një punë e arrirë dhe për t’u përgëzuar, pasi disa nga veprat që ishin pjesë e këtij leximi skenik, janë sjellë në jetë në skenën e teatrit. Përmendim veprën “5 djelmoshat” dhe “Burka e Medeas”. Shfaqja “5 djelmoshat” shënoi edhe premierën e radhës në Teatrin Kombëtar, një shfaqje të paplanifikuar në kalendarin artistik të teatrit. “5 djelmoshat” me aktorët Dritan Boriçi, Neritan Liçaj, Laert Vasili, Gent Hazizi, Genti Deçka na shtyu drejt një reflektimi të sinqertë mbi atë që ndodh në botën e fëmijëve, ku ne hyjmë e dalim pa kuptuar gjurmët që mbeten në të, sikur të ishte një skutë e errët, që nuk na përket.

Ky sezon që u mbyll në Teatrin Kombëtar pati vëmendjen e publikut, shfaqjet u mirëpritën, por problem u pa dhe mungesa e dramaturgjisë shqipe në skenë, ku shumë artistë shprehën këtë shqetësim. Një sezon artistik mbushur me premiera që përçuan emocione dhe mesazhe të forta. Shfaqje që zgjatën edhe përtej duartrokitjeve dhe interpretimi i aktorëve bënë që publiku të reflektonte mbi fenomene të ndryshme që u prekën në veprat vënë në skenën e teatrit. Krahas problemeve që vazhdojnë ekzistojnë në institucionet tona kulturore, s’mund të mohojmë që teatri ka mbërthyer publikun dhe sallat kanë qenë të mbushura plot.

Tashmë, Teatri Kombëtar ka shpallur dhe aplikimet për të gjithë regjisorët, që duan që me veprat e tyre të jenë pjesë e sezonit artistik në vijim të këtij institucioni./ KultPlus.com

Shpërndaje në: