Teatri Kombëtar i Kosovës fitues i çmimit “Grand Prix” në Rumani

Teatri Kombëtar i Kosovës fitues i çmimit “Grand Prix” në Rumani

Çmimi shfaqjes “Eshtrat që vijnë vonë” iu dha për fuqinë, drejtpërdrejtshmërinë, thjeshtësinë dhe aftësinë interpretuese, regjisoriale dhe skenike. Ky është çmimi i parë i madh që Teatri Kombëtar e merr në një Festival ndërkombëtar pas luftës.

Lajmin e bënë të ditur drejtuesit e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përmes një konference për media, ku ndër të tjera, drejtori gjeneral i këtij teatri, Agim Sopi, tha se depërtimi i TKK-së në skenën ndërkombëtare ishte një synim i këtij menaxhmenti dhe se ata mund të mburren që me shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë” sollën nga Rumania një çmim të rëndësishëm.

“Duam të bëjmë një rezyme të shkurtër të kësaj punë pesë-gjashtë mujore prej kur kemi filluar. Intencat tona kanë qenë që teatrit t’ia kthejmë

seriozitetin dhe profesionalizmin, të inskenojmë tekste që i kanë hije dhe i rrinë mirë teatrit, të profilizojmë trupën tonë dhe që teatrin ta hapim ndaj botës qe të japim dhe të marrim nga rrjedhat kulturore dhe estetike të Evropës dhe më gjerë. Në kuadër të këtyre intencave ne tashmë kemi realizuar disa projekte që mund të themi se ia kanë kthyer seriozitetin teatrit, filluar nga shfaqja ‘Grafitet’, pastaj ‘Eshtrat që vijnë vonë’, ‘Tregtari i Venedikut”, për të vazhduar në dhjetor me shfaqjen ‘Pasardhësi’, sipas tekstit të Ismail Kadaresë. Pas disa prezantimeve në rajon, Teatri Kombëtar ka qenë pjesë e një festivali të madh, siç është ai i Bukureshtit, të cilin e organizon NETA, një rrjet që tubon 67 teatro evropiane dhe pretendon të mbështes shprehjen e re teatrore. Ne mund të mburremi se përveç pjesëmarrjes, nga Rumania kemi sjellë edhe çmimin e parë ‘Grand Prix’ për shfaqjen ‘Eshtrat që vijnë vonë’. Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi”, tha ndër të tjera Sopi.

Në anën tjetër, drejtori i artistik i TKK-së, Agon Myftari, tregoi se si shkoi mbyllja e Festivalit në Rumani, ku ata në sallën e mbushur përplot morën çmimin e ndarë nga juria profesionale.

“Pritja në Festival ka qenë e jashtëzakonshme dhe reagimet e publikut gjithashtu, duke filluar që nga juria. Ne jemi të kënaqur dhe na vjen shumë mirë që morëm pjesë në një Festival të tillë, por çmimi që morën ma bën krenarë dhe na motivon”, theksoi Myftari.

Për aktorin Adrian Morina, i cili është pjesë e kastës së kësaj shfaqjeje, është tejet e rëndësishme që arti nga Kosova, siç e quan ai “oaza jonë kulturore” të prezantohet në rajon.

“Unë deri tash kam udhëtuar jashtë Kosovës kryesisht me produksion dhe më pak me Teatrin Kombëtar dhe më vjen mirë që dyert e TKK-së kanë filluar të hapen dhe të mos rrimë vetëm brenda këtyre kufijve shqipfolës. Ky çmim sigurisht që do t’i sjellë edhe festivale, ftesa dhe pjesëmarrje tjera. Besoj se kjo është rruga e duhur se si një menaxhment duhet ta udhëheqë punën artistike brenda institucionit, rruga e duhur për t’ia kthyer fytyrën qe e ka pasur Teatri Kombëtar i Kosovës”, tha ndër të tjera Morina, duke shtuar se me regjisorët që kanë filluar të vijnë në këtë teatër dhe me përzgjedhjen e teksteve nga ana e drejtorit artistik dhe gjeneral, është i bindur se Teatri Kombëtar i Kosovës shumë shpejt do të kthehet në maje, aty ku ka qenë dikur.

Shfaqja me tekst të Teki Dërvishit, titulluar “Eshtrat që vijnë vonë” është përgatitur nga regjisori maqedonas, Martin Kocovski. Me rolet e tyre në këtë shfaqje paraqiten aktorët Astrit Kabashi, Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Shkelzen Veseli, Lumnie Sopi, Arta Selimi, Albulena Kryeziu, Armend Baloku dhe Bujar Ahmeti.

Kjo dramë e Dërvishit trajton fatin e individit me identitet të humbur. Raportet mes njeriut i cili për pushtet ka humbur identitetin dhe atij që përpiqet ta ruaj duke e sfiduar presionin dhe realitetin Orwellian, në të cilin është futur domosdoshmërisht. Shfaqja u dha premierë në maj të këtij viti./Zeri/.

 

Shpërndaje në: