Të vritesh nga plumbi metal(urgjik) dhe “kulturor”
Mitrovica është qyteti ku kam lindur dhe kam jetuar deri në moshën 13 vjeçare. Prejse e mbaj veten në mend e që duhet të jetë diku viti 1991/1992 e këndej, ky vend, sidomos veriu i tij, ta ka ofruar një luks që s’gjindej lehtë: atë të larushisë së botëkuptimeve, që në fakt më shumë ishin mikro e makroprovincializma, por që të paktën të përballnin me spektrumin e qenies (dosido) politike e që një kontekst global post-89, po rininterpretohej dramatikisht.
E riinterpretimi i qenies, ardhja e saj në spektrume variuese, apo më mire thënë befja e saj, nënkuptonte edhe pikëpyetjet e mëdha identitare dhe politike për qenësorin, që supozohej se do të duhej të ishte politik në situime deshe apo s’deshe, katrahurash politike.
Të lindeshe në veri të Mitrovicës përkatësisht të rriteshe aty, me kohë vëreje njëfarë prirje interesante: të qenit në veçanti të shqiptarëve qenie të depolitizuara. Luksi i çuditshëm në depolitizim shtohej kur për dallim prej Prishtinës që kishte betonuar lumin e saj, Mitrovica kishte Ibrin, Sitnicën e Lushtën, që mund të lexohen si satisfaksioni ambientalist në një mjedis industrial dhe jo pak të ndotur. Në këta tre lumenj mund t’ia dije lezetin fëmijërisë duke u larë. Dhuna serbe në rritje, zakonisht merrej si prirje e pacivilizuar, e një grupi të caktuar të tyre, që privatisht mund t’i çuanim edhe “çetnikë”, por që mbaronte me kaq.
Ti mësoje se Trepça është gjigant metalurgjik dhe se gjëja më e rëndësishme për njeriun është kultura, jo menduarit politik. Kësodore, vetëm “Homo aestheticus” e të shumtën “Homo faberi” ishin alamete të fisme. “Me politikë ka kush merret”. Shqiptarët përbënin shumicën në veriun e vendit (afro 65%), por që se po sfidoheshin seriozisht me demografi nga serbët (sidomos pas 95-tës kur mbërritën ardhacakë nga Kroacia) kjo nuk përbënte ndonjë brengë serioze.
Do të më duhej ta lexoja “Jetë dhe vdekje në Ballkan” të Bato Tomasheviqit, për të kuptuar se Beshir Çabra (një plak mbase analfabet nga një fshat i Mitrovicës), paska pas vërejtur qysh në vitet 20-40 diçka: vendosjen konsistente të serbëve në bregun verior të Ibrit. Por të përmendeshe gjëra të tilla në klasë, mund ta haje llagapin: “pleqnari i klasës” a “plaku i klasës”, siç më kishte pas cilësuar njëherë mësuasja.
Kur jemi te kjo e fundit, doli se që në pranimin tim në klasë të parë mësueses i kishte dalur problem me mbiemrin tim. Sadiku, dukej shumë mbiemër fshataresk në një klasë me 1/3-tën fëmijë gjakovarësh mitrovicas, përfshirë edhe vetë mësuesen. Natyrisht, as nga prindi im e as nga unë s’mund të pritej revoltë ndaj kësaj; përkundrazi, luftë edhe më e madhe për të qenë bash nxënësi i Nysretes, gjë që edhe ndodhi. Aq më shumë që nëna vinte nga provenience e ngjashme, vetëmse turkofone.
Më besoni këto gjëra ndodhnin në pikun e 1994-tës, kur pedagogun e shkollës mund të ta plandoste në borë drejtoresha e ndrrimit serb; kur distanca e SUP-it dhe burgut të mushur me shqiptarë, me shkollën ishin 100 m; kur radiatorët s’lëshoheshin për ne me muaj të tërë; kur në televizion mund të shihje Masakrën e Markalles në Sarajevë; por që tërë këto s’nënkuptonin kurrgjë, meqë në moçalin tonë provincial, duhej të ekzisonte aristokracia.
Që në klasët e ulta, u dallova në dy lëndë fort fshatareske: Histori dhe Gjuhë Shqipe. Anglezët do të thonin “anholly branches”. Nga kori i shkollës më larguan, meqë në takimin e parë s’më qëlloi asnjë këmishë e bardhë. Larg asaj të hidhërohesha: për kushtet e kohës, kori ishte për çdo lavdatë. Aty mori hapat parë edhe Rona Nishliu, anipse edhe Rona ka mbetur nën hijen e Kidës.
Me kohë mësova serbishtën. E ky ishte privilegj edhe më i madh se sa të jesh gjakovar a turkofon. Madje të çlironte edhe nga një barrë: kur fëmijët shqiptarë tregoheshin ngucakeq, zgjedhja jote mund të ishte lozja me fëmijët serbë e boshnjakë. Dikush-dikush me kohë fillonte edhe të ndjehej kulturalisht serb. Serbët pothuajse e dominuan basketollin botëror të 90-tave. Kjo reflektohej edhe në veri. Ose duhej të mësoheshe të luaje basketboll, ose të qëndroje indiferent, dhe dosido paksa inferior. Kujt nuk i pëlqente sporti, ia mbante kah rocku që kot së koti edhe sot mundohen të ta shesin si njëlloj çeltine shqiptare kah horizontet e reja e kah universaliteti. Mbase. Por gjithçka fillonte me lakminë për t’i përngjarë serbit.
Në atë fillim 98-te, nëna erdhi nga puna (jepte mësim në Vushtrri), dhe mua e babit na e kumtoi troq: “kërsiti lufta n’Drenicë”. Babai që kishte kujtime më të gjalla mbi sjelljet dhe ambieciet e serbëve dukej se s’pati nevojë për më shumë shpjegim. Për gjithkënd që ishte normal nënkuptohej se ditët e këqija po vinin. Por jo edhe për një pjesë bukur të mirë të fqinjëve shqiptarë, me të cilët krijuam komunionin e ndërtesës. Për ta shumë më shumë se klimaksi i situatës së nderë, kishte rëndësi Kampionati Botëror i Futbollit Francë 1998, përkatësisht minutazhi i Ardian Koznikut në Kombëtarën e Kroacisë. Zoon politiconi e polisi mund të mbipeshonin ndaj olimpit dhe garave në Greqinë Antike, por jo edhe në Mitrovicë.
E tërë 98-ta dhe fillim 99’ta, na kaluan me rrenën dhe vetëmashtrimin e famshëm “lufta nuk hin n’qytete”. Kreshniku, një djalosh nga Buroja e Drenicës që na erdhi në klasë në atë fund 98-tës, megjithëse u prit mirë, shihej si gjynah. E ne vazhdonim vetëmashtrimin: “s’ska luftë në qytete”. Këta na e thoshte sidomos komshiu Sh., ish truproje e Fadil Hoxhës. Kur nisen bombardimet e drodhi në: “do të mbarojë për një javë”. Dhe natyrisht, shumica nga ne i besonim si dele.
Si ajkë mbi torte të muhabetit të nenshtrimit, si sot e kam parasysh turpin e prillit 99: një fqinje 150 më lart, grua mjeku (për ironi veriu e ka një lagje me emërtim snobçe “Lagjja e doktorëve”), anipse kishte dëshmi të gjallë para vetes zbrazjen e veriut dhe tërë qytetit, vajti në SUP për të pyetur: “edhe sa ditë mbaron e tëa kjo, dhe a kemi siguri”. E neveritshme deri në pikëllim, saherë që më kujtohet.
Qyteti pak nga pak u zbraz nga shqiptarët. Afro 800 shqiptarë u vranë, kurse pronat shqiptare e joserbe u vodhën, djegën e rrafshuan. Kur ne të veriut tentuam të kthehemi, e besa disa u kthyem në qershor dhe korrik 1999, shumë nga ne mesi i 2000-tës, na gjeti sërish me teshë e koteshë poshtë urës. Edhe njëherë nuk kryen punë metalurgjia, kultura e e menduar ndaraz nga politika, doktorët e aristokracia.
Të vrarë e të nemitur, mitrovicasit e mi të dashur votuan LDK që në zgjedhjet e para. Donin që tashmë për mileniumin e ri ti rikthejnë qetësinë e dimërimin e humbur. Një LDK të re a të vjetër për shekullin e ri. Madje për koiçidencë këta rreshta po i shkruaj pikërisht në përvjetorin e themelimit të LDK-së në Mitrovicë, 27 vite më parë, e që natyrisht akoma plot i qëndrojnë besnik, dhe turpshëm festojnë.
Mitrovica pa edhe marsin 2004. Vetëmsa u mbyt edhe më shumë në hibernim. Rini e pashpresë, ikje në Prishtinë “e kokave të kulturës”, lulëzim kafiterish, preokupim me sport. Asnjë gadishmëri a ndërrmarësi politike, dhe krejt në fund hakmarrja e sociologjikes: fshatarësisë. Madje e atyre që edhe në atë provincializëm që ishte s’përbënin ndonjë vlerë të shtuar a afirmative (se Kadri Veseli ka banuar në Mitrovicë e kam marrur vesh diku më 2012). Le që hakmarrje ndaj dominimit gjakovar e mitrovicasëve vendas, por edhe dominim ndaj vetë fshatarësisë nga ana e kundërt e magjistrales: shaljanëve. Tretje e limfës imunitare për një të ardhme më të mirë. Venitje e shpresës.
Në kapitalizmin mbytës, sidomos pas privatizimit, mitrovicasi i nemitur e i varfëruar kuptoi se Trepça s’paska qenë ontologjia e ardhjes në këtë botë. Kuptoi se industrializmi i hovshëm ka edhe efektet e tij anësore: çtruallëzimi ontologjik nga nativiteti dhe dosido nga boshti i të rezonuarit politik, sidomos kur industria mendohet vetëm si hambar ushqyes (status jo fort dallues nga kafsha). Së këndejmi huti dhe pamundësi për plazmim identitar. Në një masë ky shock dhe kjo traumë e çoi n’derë të vehabizmit. Pyetje e sikletshme apo jo: po të kishte qyteti identitet të vetin, a do kthehej në vendin më predikues të një verzioni mesjetar të fesë? Vehabizëm në betonin jugosllav! Gjellë e mjerueshme për kulturalistët që na lodhin.
Që të trija këto duken se kanë qenë të inkarnuara në qeniesimin prej inividi të Ermal Kamberit: orvatja për bukë të gojës në një kontekst të pamenduar të kapitalizmit vulgar post-industrial (ideja për të hapur kafiteri), njëlloj përpjekje përtë gjetur vetën në qytetin-oksimoron (një mik më tha se ka ushtruar 6 vie basketboll), pa u atashuar politikisht, si dhe siç duket nga disa fotografi një afilim qoftë edhe i lehtë me fenë (e që në Mitrovicë vështirë se mund t’i shpëtosh ligjërimit vehabist). Kurse dorasi, – nëse arsya e vrasjes del siç po përflitet – inkarnon revoltën, gjithsesi të pajustifikueshme të dikujt që nuk duron diçka si rezervimi.
Nuk është e rastësishme që Mitrovica në pasluftën e fundit ka nxjerrur serbët më politik e shqiptarët më apolitik. Rrënja e kësaj qëndron diku. Njeriut të këtij qyteti me pak përjashtime, që heret ia kanë shterruar, ia kanë mpakur rezonin politik si askujt tjetër në Kosovë, në një kohë kur serbët dinin të mendonin edhe gjeografikisht (futja e Leposaviqit në Kosovë në 50’tat dhe prerja e lidhjeve me Sanxhakun) edhe historikisht (prurja e serbëve nga Kroacia në veri) por edhe politikisht (obstrukasionet ndaj shtetësisë edhe sot e kësaj dite në atë pjesë).
E të mendosh gjeografikisht, historikisht e politikisht, i paraprijnë nostalgjisë për të kaluarën xehtaro-metalurgjike dhe kulturore. Kjo sepse nga shkepja e një plumbi metalik mund të vdes një njeri apo edhe miliona njerëz, por nga varja e shpresave tek plumbi e metalurgjia, breza e breza. Kjo sepse, gjeografi, histori e politikë ka pasur para industrisë. Ermali mund të jetë vrarë nga plumi metalik, por vetëm pasi që ky qytet është vrarë nga shpresa në plumb e metalurgji, përgjatë dekadave të vetëmashtrimit.