Të vërtetat e pathëna të shenjës suaj të horoskopit

Të vërtetat e pathëna të shenjës suaj të horoskopit

Në këtë univers që s’ka fund, ekzistojnë kaq shumë “stereotipe”, të cilat, kur bëhet fjalë për shenjën e horoskopit, mund të dalin edhe të vërteta. Sigurisht, ka edhe shumë thashetheme që përgjithësojnë një shenjë, si për shembull: të gjithë Binjakët tradhtojnë, apo Akrepët janë egoistë, por sot do ju tregojmë vetëm realitetet që ju përpiqeni t’i fshihni.

DASHI

Po, janë të mbushur me kurajo, lider të lindur jo vetëm për zodiakun, por edhe në jetë, në punë e kudo. Ata janë të etur për aventura, përvoja dhe gjithçka që i nxjerr nga zona e rehatisë.

DEMI

Thashethemi: Demët janë dembelë. E vërteta: Kanë një durim të patundur.

Po, kur mendja, zemra dhe shpirti i tyre e duan diçka, patjetër e arrijnë. Mund të kaloni 7 male e 7 dete dhe ta realizojnë qëllimin.

BINJAKËT

Reputacioni i Binjakëve është pak i keq me thënë të drejtën. Gjithmonë të etiketuar si “njerëz me dy fytytra, të pabesë dhe gënjeshtarë”, ama diçka nuk e mohojmë dot: Binjakët janë mjeshtra për të krijuar marrëdhënie miqësore dhe romantike, pasi *vdeeesiiiin* të flasin, të ndajnë ide dhe të ndërveprojnë me të tjerët.

GAFORRJA

Mund t’i duam apo t’i urrejmë, Gaforret mbeten super specialë. Po, janë shumë të ndjeshëm dhe kanë baticat dhe zbaticat e tyre, por dimë të themi edhe se janë romantikë dhe shumë energjikë.

LUANI

Luanët janë egocentrikë dhe mendojnë se e gjithë bota rrotullohet rreth tyre, por nuk mund ta mohojmë se janë shumë të dashur dhe zemërgjerë. Tani, imagjinojini si një qiri që digjet për të mbajtur ngrohtë të tjerët (ose si lekët e Pablo Escobar që u dogjën për të mbajtur ngrohtë vajzën e tij, çështje këndvështrimesh).

VIRGJËRESHA

Virgjëreshat janë ndër shenjat më të keqkuptuara, pasi udhëhiqen nga Mërkuri që në prapavijë, bën kërdinë. Por, janë një shenjë shumë gjithëpërfshirëse, e cila ka aftësinë të përfshijë të gjithë në një bisedë, situatë, apo projekt.

PESHORJA

“Po?”, “Jo?”, “Ndoshta?”, “Më lër ta mendoj”…Po, po përshkruajmë një Peshore. Ndonëse ju mendoni se janë të pavendosur, në fakt Peshoret ruajnë balancat në mënyrën më perfekte. Ekuilibri është kryefjala e jetës së tyre, ndaj përpara se të përgjigjen, fillimisht peshojnë veprimin, e mandej pasojat afatshkurtra dhe afatgjata. Sigurisht, kjo merr shumë kohë.

AKREPI

E vërtetë, patjetër që Akrepët janë një shenjë intensive dhe problematike, por janë shuuuuumë pasionantë. Ata dashurojnë dhe joshen në nivele shumë të përparuara, ndaj bëni mirë të mendoheni para se të dilni me një Akrep që nuk i mban dot duart në trupin e vet.

SHIGJETARI

Shpirtra të lirë në çdo aspekt! Kur themi “Shigjetar”, këtë duhet të kemi parasysh. Horizonte të reja, një mendje që do të ushqehet pa fund me peizazhe, ide dhe vizione, si dhe një zemër elastike që ka vend për përvoja dhe njerëz që nuk i kufizojnë lirinë. Por, kur dashurojnë Shigjetarët mund të jenë një rreze e bukur dielli, mjafton që ju t’i lini të rriten në jetën profesionale dhe shpirtërore.

BRICJAPI

Të lindur për të qenë planifikues dhe ndërtues të strukturave, në jetën personale dhe profesionale. Një Bricjap adhuron qëndrueshmërinë dhe të krijojë stabilitetin, edhe kur vërdallë ka vetëm kaos.

UJORI

Thashethemi: Ndizni kondicionerin dhe çojeni te 100 gradë Celcius, sepse shenja më e ftohtë e horoskopit është këtu! Gjithmonë në distancë, të paarritshëm emocionalisht dhe ujq të vetmuar, këtë keni dëgjuar për të gjorët Ujorë?

Në fakt, e vërteta është se Ujorët janë intelektualë dhe analizojnë gjithçka. Mendja e tyre, gjithë kohës nuk resht, ndan të mirën nga e keqja dhe studion njerëz dhe situata. Herën tjetër, kur një Ujor nuk po ju flet, dijeni se në imagjinatën e tyre, jeni shtrirë poshtë një mikroskopi.

PESHQIT

Notojnë në oqeanin e ndjesive dhe mendojnë ende për atë çunin/ gocën që kanë pasur qejf në klasë të tretë. Shkëputen nga realiteti, kanë planetin e tyre dhe shumë e shumë të tjera, por Peshqit janë edhe super krijues dhe të bekuar me një botë magjike brenda tyre. Kjo u lejon të zhyten në të, të imagjinojnë dhe të mendojnë jashtë kornizave.

Shpërndaje në: