Të thirret seancë e Jashtëzakonshme e Kuvendit vetëm për një gjë
Koha e debateve ka përfunduar. Në nguti nuk ka rezultate! Ndaj si njëri i denjë për arritjet e popullit tim edhe të gjithë atyre që më besuan me votë, e iu zotova të jem gardian i amanetit të dëshmorëve dhe vlerave të lirisë, i thërras të gjithë deputetet pozitë e opozitë, që të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë si rend dite:
– Gjykata Speciale…
Është radha që ata që morën mandat nga qytetaret e Kosovës, të thonë mendimin e tyre aty ku duhet të dëgjohet zëri i të gjithëve, deputetëve, ministrave, krye kuvendarit,
Kryeministrit e Kryetares së Kosovës.
Aty është vendi ku duhet të merr drejtim kjo situatë!
Të gjithë Ne që u angazhuam, e nuk rendim ta bëjmë për lehtësimin e gjetjen e shteteve mike që do të mundësojnë mbrojtjen në liri për të akuzuarit, kemi ndezur një dritë pikërisht pse institucionet tona heshtën para dhe kur u mor vendimi refuzues për mbrojtje në liri, ndërkohë që e dinin institucionet dhe ekipi mbrojtës, se cilat ishin rrugët dhe veprimet që duheshin ndërmarrë. Prandaj do të ndjeheshim të rehabilituar nëse institucionet e Kosovës do ta vazhdonin këtë nismë për të siguruar e ofruar mbështetje institucionale dhe garanci për ata që gjykohen në TS të Hagës. Qenia në pozitë inkompatibile si shtet i të akuzuarve, (ndaj një mekanizmi gjyqësor të krijuar nga vet ne si shtet por që tanimë na është mbivendosur i njëjti), ndaj duhet parë modalitetet e rregullimit të këtij tribunali, mbështetur edhe në rekomandimet e Komitetit për politika të jashtme të Kongresit Amerikan dhe z. Eliot Engell si ish kryesues i tij.
Përveç inkompatibilitetit të institucioneve tona, përfaqësuesit e institucioneve e kanë hendikep edhe kredibilitetin ta bëjnë. Ky handikep ka karakter politik së pari të brendshëm që duhet të reflektoj stabilitetin politik, sigurinë, sundimin e ligjit, pastaj atë të jashtëm siç është mos konsistenca politike në raportet ndërkombëtare të Kosovës si subjekt. Handikepi më sensitiv për opinionin vendor dhe ndërkombëtarë mbeten publikimet për lidhjet e Kryeministrin me bashkëpunëtor të terroristit ndërkombëtarë Osama Bin laden, tashmë të identifikuar si Osman Atalaj. Qëndrimet pa sens diplomatik në takimet ndërkombëtarë me gjuhën e narrativin që është analog me atë të Serbisë dhe Rusisë, mos mbrojtja e pozicionit politik të vendit në ketë komunikim, etj.
Është për tu vlerësuar mbështetja financiare për mbrojtjen me transparencë sepse kemi të bëjmë me shpenzim të parasë publike. Por, kjo nuk i nderon ata që përmes publikimit, duan ta trumbetojnë sasinë e mjeteve të shpenzuar si shkas për të nxitur aversion ndaj drejtuesve të luftës dhe vet fenomenit luftë që është edhe shkaku i lirisë sonë, siç është praktikë kur miratohet Ligji i buxhetit, zëri për kategoritë e luftës.
A ka turp e fryrje më lënduese për popullin dhe shtetin e ri të Kosovës, që liderët drejtues të institucioneve tona e shumë të tjerë, me sjelljet e tyre, qëndrimet që mbajnë ndaj vlerës më sublime të kombit tonë në histori, atyre që një ditë vendosen të sakrifikohen për vlerat e lirisë, të përngjajnë në çfarëdo konteksti me qëndrimet e Serbisë dhe sjelljen e lidershitpit të tyre?!
Në rrugën e lirisë Ne ishim bashke;
Në liri, secili nga ne do bej detyrën e tij për të vendosur paqen, duke kontribuar për të vendosur drejtësi.
Në esencë të drejtësisë është e vërteta!
Për të ka nevojë historia, për të kemi nevojë Ne.
Paskrupullsia e varfëria profesionale dhe etike e disa mediave tona shkanë deri atje sa keqinterpretuan edhe fjalët e presidentit të një vendi mik.
Në fjalët e tij, me maturi diplomatike, lidhur me mundësinë që të ofrohet mbrojtje në liri, për të akuzuarit në Hagë, u lexua edhe shkalla e lartë e presionit që u bë në këtë drejtim nga të gjithë ata që duan të gjykohet UÇK në ato dhoma speciale, që realisht kanë shmangur gjykimin e shkakut të vërtetë pse u krijuan, akuzën më monstruozë të trafikimit me organe.
Nuk është praktikë në komunikimin e presidentëve të shteteve të përgjegjshme, që presidenti të shprehet në frymë dihotomikë siç bëri ai në interpretimin e mediave tona: “…edhe po të kem thënë kështu, unë e kam të pa mundur ta bëj këtë”, duke apostrofuar veprimin e presidentin hungarez me ish kryeministrin maqedonaoverior. Thua se kërkesat nga të gjitha adresat ishin për t’iu dhënë azil të akuzuarve në Hagë!
Nëse do të gjykohet qëllimi i luftës sonë në TS në Hage, do të thotë pajtim për të rrënuar themelet mbi të cilat i kemi ndërtuar vlerat e lirisë. Do të thotë po ashtu, fatkeqësisht të bashkërendojmë qëndrimet mbase pa dashje, apo nga dëshira për drejtësi, me të disponuarit armiqësisht ndaj vendit tonë që luftojnë për zhbërjen e tij si integritet territorial, sovranitet politik dhe identitet shtetëror, duke rrënuar pikërisht vlerën që qëndron në themelet e tije, Luftën dhe qëllimin e sajë.
Duhet veprim unik.
Duhet veprim gjithëpërfshirës dhe jo selektiv.
Përndryshe turpi do na përcjellë para historisë, kombit e atdheut.