Të shpjegosh Ballkanin sipas Perëndimit

Të shpjegosh Ballkanin sipas Perëndimit

Dy dekada pasi Maria Todorova shkroi “Imagjinimi i Ballkanit”, perceptimet për rajonin mbeten të bazuara te stereotipat, te dhuna, varfëria dhe eksperienca e rakisë.

Njëzet vjet më parë, ndërsa thëngjijtë e luftës në Bosnje dhe Kroaci ishin ende të ndezur, historiania bullgare Maria Todorova publikoi “Imagjinimi i Ballkanit”. Në këtë vepër thelbësore, ajo detajoi se si është perceptuar dhe dokumentar Ballkani për shekuj si brenda dhe jashtë – kryesisht si një oborr disi brutal dhe jo i civilizuar i Europës.

Todorova e quajti këtë “Ballkanizëm” si homazh ndaj “Orientalizmit” të Eduard Said – një term i aplikuar në një mbulim të ngjashëm ekzotik të studiuesve, shkrimtarëve dhe artistëve ” të Lindjes” nga “Perëndimi”.

Ajo ndoqi format e shumta të Ballkanizmit në burime që variojnë nga kronikat tregtare të Venedikut të shekullit të 16-të, deri te opinionet e viteve 1990 të publikuara në New York Times dhe te dramat serbe të shekullit të 19-të.

Megjithëse mbulimi ndryshonte nga vendit dhe periudha kohore e burimit, ajo vuri re një fije të fortë të përçmimit kundrejt Ballkanit dhe popullit të tij.

Ajo identifikoi britanikët si tradicionalisht pak të impresionuar nga Ballkani, duke thënë se ndërsa arsyeja ishte pjesërisht gjeopolitike pasi britanikët mbështetën perandorinë osmane gjatë luftërave të pavarësisë në Ballkan, edhe nocionet viktoriane të “qytetërimit” luajtën një rol  bazuar te idetë e darvinizmit social, racizmit shkencor dhe superioritetit kolonial.

Në fund të shekullit të 19-të, George Bernard Shaw i zemëroi bullgarët me shfaqjen e tij “Armët dhe Njeriu” duke e përshkruar popullin si injorant dhe barbar. Edith Durham, një britanike që udhëtoi rajonin në fillim të shekullit të 20-të, i përshkroi serbët si “parazitë” dhe u bëri thirrje të gjitha kombeve të shkolluara të ngrihen kundër “sllavëve të Ballkanit” dhe krishtërimit të tyre.

Disa ditare udhëtimesh nga e njëjta periudhë përmbanin pjesë raciste, duke vlerësuar si të neveritshme përzierjen e pasur të kulturave, gjuhëve dhe etnive në rajon. Edhe kur raportet e huaja ishin pozitive, ato stereotipizonin vendasit si “fisnikë të egër”, duke rënë shpesh në grackën rrëfimtare të “shpëtimtarit të bardhë”.

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe rritjes së ndjeshmërisë ndaj stereotipeve të të gjithë kombeve dhe popujve, ato në Ballkan vazhduan.

Todorova theksoi se në vitet 1990 një kolumnist i New York Times në një mënyrë harroi holokaustin në Europën Perëndimore kur e kritikoi Ballkanin si “vendin e vetëm në Europë”, ku njerëzit mund të vriteshin për shkak të ngjarjeve të shekujve më parë.

I zhytur në paqëndrueshmëri në fund të shekullit të kaluar, narrativa e Ballkanit si jotolerant dhe i dhunshëm u kthye, deri në atë pikë sa gazetari dhe shkrimtari amerikan Robert Kaplan fajësoi Ballkanin për nazizmin, duke deklaruar se “Hitleri mësoi të urrejë ashtu” nga sllavët jugorë. Pavarësisht nga zemërimi i zjarrtë që shkaktoi te disa dijetarë të rajonit, vepra e Kaplanit kishte ndikim dhe lexohej gjerësisht në vitet 1990.

Dy dekada pas “Imagjinimit të Ballkanit” dhe pasi stabiliteti është kthyer në rajon, a ka ende kuptim të diskutohet për Ballkanizm?

Disa shtete të Ballkanit si Kroacia dhe Bullgaria tashmë janë anëtarësuar në BE, ndërsa të tjerë presin si kandidatë të mundshëm. Anëtarësimi shpesh perceptohet si shenjë e civilizimit dhe madje edhe në shtetet joanëtare, politikanët përsërisin mesazhet e BE-së për tolerancë, stabilitet dhe progres.

Figurat kyçe kanë shkaktuar interes në mediat perëndimore – Edi Rama, kryeministri shqiptar i vari vizatimet e tij në Bienalen e Arteve të Venecias këtë vit, ndërsa Ana Brnabiç, kryeministrja homoseksuale e Serbisë u bë një temë e nxehtë në qershor (mes akuzave se Serbia “po e mbulon me rozë” politikën e vet të brendshme).

Një bum rajonal i turizmit nxitur nga fluturimet, akomodimi dhe birrat e lira nxiti shpresa për familjarizim. Miliona turistë çdo vit shohin se kamarierët në Ballkan nuk janë më të egër se ata në qytetet spanjolle apo resortet bregdetare britanike. Skena të ndryshme arti lokal mblidhen çdo vit si Festivali i Filmit në Sarajevë, DokuFest në Prizren dhe Festivali Trumpet në Guca.

Megjithatë, referencat e paarsyeshme për luftën, dhunën ose varfërinë ende karakterizojnë artikujt për Ballkanin modern – sidomos për shtetet që dikur përbënin Jugosllavinë. Lajmet përmendin burra të dhunshëm dhe gra të mbuluara me tualet që kërkonin para.

Para se Bullgaria të hynte në tregun e hapur të punës në vitin 2014, tabloidët britanikë punuan pa u lodhur për të përshkruar europianët e tjerë si vagabondë hajdutë të punës.

Vitin e kaluar, në prag të referendumit të Brexit, një seri artikujsh njoftuan votuesit në Mbretërinë e Bashkuar për pasojat e zgjerimit të BE-së, duke sugjeruar vazhdimisht rritje të dhunës.

Në prill të vitit 2016, The Sun publikoi një artikull për pranimin e mundshëm në BE të Bosnjës me titullin “Mos i fusni brenda”, duke përshkruar se si Bosnja është një terren për radikalët, me flamuj ISIS që valëviten kudo, duke shfaqur fotografi të xhihadistëve të armatosur.

Ndërsa The Sun nuk konsiderohet si mishërim i analizës së lartë, rrëfenjat për Ballkanin nuk janë të kufizuara në median mendjengushtë.

Një artikull në The Economist, i titulluar “Luftim dhe Plaçkitje”, analizoi një libër mbi historinë e Malit të Zi, i cili e la autorin me pyetjen nëse “luftimet dhe plaçkitjet ishin paracaktuar nga historia”, që e kishin bërë baballarët e kombit dhe do të bënin përsëri djemtë e tyre”.

Edhe në qarqet liberale, Melania Trump përshkruhet sipas stereotipave të “nuses me postë” për shkak të origjinës së saj sllovene. Kohët e fundit, e shumë-nderuara Zonja Helen Mirren bëri komente për “shpirtin e errët slloven” të Trump, ndërsa Joy-Ann Reid, një gazetar i MSNBC, përdori trashëgiminë “sovjetike jugosllave” të grave të Donald Trump si dëshmi e lidhjeve të tij me Rusinë.

Po t’i lëmë të famshmit që nuk marrin vesh mënjanë, edhe ata që e njohin rajonin herë pas here kalojnë në ujërat e Ballkanizmit. Nuk mund të përmbahesha pasi lexova një artikull të kohëve të fundit në Balkan Insight nga një shkrimtar me përfshirje afatgjatë në rajon, i cili i referohej burrave serbë si “kafshë mitike me qime” ndërsa diskutonte fiksimin e grave serbe me makijazhin.

Përveçse i formuar keq dhe intelektualisht dembel, Ballkanizmi ndërkombëtar fatkeqësisht ka pasoja reale dyuke çuar në ndërveprime personale banale.

Ballkanizmi krijon llojin më të keq të turistëve – ai lloj që pasi ka lexuar një libër dhe ka kaluar disa ditë në rajon fillon të shpjegojë te vendasit historinë dhe politikën sipas perëndimit.

Gjithashtu i jep mundësi njerëzve të tjerë të sjellshëm që të pyesin vazhdimisht të rinjtë nëse i urrejnë fqinjët e tyre ose nëse kanë ndonjë familjar në mafia.

Si të gjitha stereotipet, ajo i mbyt nuanca dhe historitë individuale duke i përkufizuar ato trashë. Njerëzit në Ballkan duhet të punojnë shumë për t’i treguar botës veten, pavarësisht nga të metat, ata meritojnë respekt dhe mirëkuptim.

Sidoqoftë, ky lloj i Ballkanizmit të jashtëm mund të krahasohet dhe madje të tejkalohet nga ai që vazhdon brenda vetë Ballkanit. Ballkanizmi i brendshëm manifestohet në shtypjen në shkallë rajonale të termit “Ballkani”. Njerëzit këmbëngulin se i përkasin “Europës Qendrore” dhe vazhdimisht projektojnë stereotipa negative ndaj fqinjëve të tyre, me të cilët ata ndajnë një histori dhe një pjesë të mira të kulturës.

Qarqet liberale serbe fajësojnë rregullisht “mentalitetin ballkanik” si arsye për problemet tona.

Tradicionalët shpesh veshin stereotipin si arsye për të justifikuar maçizmin dhe patriotizmin ekstrem dhe shtimi i turizmit nënkupton shtim të mundësive për të damkosur identitetin nëpërmjet “përvojave” si dehja me raki deri te “safarit” e turpshëm në qytetet e vogla rome.

Fatkeqësisht, Ballkanizmi mbijeton sepse është shumë i dobishëm. Siç shkroi dhe një eseist gjerman Herman von Keyserling, (duke parafrazuar Volterin): “Nëse Ballkani nuk do të ekzistonte, do të shpikej”.

Todorova hodhi hipotezën se për ballkanistët e huaj, rajoni shërben si një kanavacë për të projektuar idetë e veta qoftë për varfërinë, dhunën apo intolerancën. Ose, mund të përdoret si mbulesë për të gjitha aspektet e kulturës së brendshme të dikujt që mund të jetë kundër rendit të ditës, me të cilin mbase nuk duan të merren.

Për fat të keq, teksa fillojnë të bëhen të dukshme krisjet në rendin aktual demokratik liberal, nga Brexit te Çarlotsvill, Ballkanizmi mund të zhduket – jo sepse Ballkani do të bëhet më “perëndimor” por sepse “perëndimi” do të kuptojë se është më shumë si “Ballkani”.

Shpërndaje në: