Të rinjtë inovativë kosovarë, shpikin dorën protetike të printuar 3D
Kishin dëgjuar se protezat protetike kanë çmime të larta, nga 700 euro e më shumë – varësisht nga kualiteti i protezës. Por, çmim më të lirë ka proteza që mund të realizohet me printerin 3D, fakt ky që ka shtyrë anëtarët e RotaractClubIllyrian të punojnë në këtë drejtim, për të lehtësuar jetët e mbi 150 personave në nevojë në Kosovë.
Për të realizuar prototipin, nga ana financiare ishte përkujdesur Rotary Prishtina International. Prototipi ishte printuar në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK). Ndërsa, ndihmë ka dhënë edhe qendra BONEVET në Gjakovë – sidomos me hapësirën e ofruar për vazhdimin e këtij projekti mbresëlënës.
Ekspertët kanë dalë me të dhënat se proteza e printuar në 3D është më e bukur në dukje dhe se kryen më mirë funksionet e saj, si lëvizjet apo mbajtjet e gjësendeve. Ajo nuk është aspak e rrezikshme, pasi materiali është krejtësisht organik.
Proteza është rezistente ndaj ujit, por assesi nuk duhet të ketë kontakt me ujin e nxehtë të vluar në mbi 100 gradë, meqë mund ta zbusë plastikën dhe ta deformojë atë. Sidoqoftë, proteza nuk i ka problem temperaturat e larta ditore.
Qëllimi i projektit të RotaractIllyrian është t’ju ndihmojë personave që kanë nevojë për proteza të tilla, ndërsa nuk mund ta përballojnë financiarisht. Kështu, ato nuk janë në shitje, por do të dhurohen.
Një nga përfitueset e saj këto ditë do të jetë një shtatëvjeçare nga Prishtina.
Për të përcjellë punën e klubit dhe për të kontaktuar me ta, vizitojeni faqen e tyre zyrtare në Facebook, duke klikuar: KËTU Rotaract Ilyrian