Të paktën 51 të vdekur nga përmbytjet në Spanjë
Të paktën 51 njerëz kanë vdekur nga përmbytjet si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm të martën në rajonin lindor të Spanjës, Valencia, njoftuan autoritetet të mërkurën.
Shirat e rrëmbyeshëm gjatë ditës së martë bënë që rrugë dhe qytete të përmbyten. Pamje të publikuara në rrjetet sociale shfaqën njerëz të ngecur si pasojë e përmbytjeve, disa prej të cilëve duke u ngjitur në pemë.
Carlos Mazon, shefi rajonal i Valencias, tha për shtyp se disa njerëz kanë mbetur të ngujuar në vende të paqsshme.
“Nëse [shërbimet emergjente] nuk kanë mbërritur, nuk është si pasojë e mungesës së mjeteve, por për shkak të qasjes”, tha Mazon, duke shtuar se arritja në disa zona është “plotësisht e pamundur”.
Shërbimet emergjente në rajon u bënë thirrje qytetarëve ta shmangin udhëtimin rrugëve dhe u kërkuan t’i përcjellin përditësohet shtesë nga burimet zyrtare.
Transporti me tren në qytetet Madrid dhe Barcelonë janë anuluar për shkak të vërshimeve, ndërsa shkollat dhe shërbimet e tjera thelbësore janë pezulluar në zonat më të goditura.
Instituti Meteorologjik i Spanjës, AEMET, shpalli alarm të kuq në Valencia.
Duket se ky është numri më i madh i të vdekurve në Evropë nga përmbytjet prej vitit 2021, kur gati 200 njerëz vdiq, kryesisht në Gjermani.
Shkencëtarët thonë se fatkeqësitë natyrore në rajon po shpeshtohen për shkak të ndryshimeve klimatike.
Meteorologët mendojnë se ngrohja e Mesdheut, e cila e rrit avullimin e ujit, bën që shirat e rrëmbyeshëm të jenë shumë më të mëdha. /REL/