‘Të pakënaqur me pagat e kushtet e punës’: 174 infermierë sivjet ikën nga Kosova
Që nga janari e deri në korrik të këtij viti hiç më pak se 174 infermierë kanë kërkuar licencën e plastifikuar, si kusht për t’u punësuar jashtë vendit. Ndërsa, 81 infermierë kanë kërkuar vërtetim të Kodit Etik.
Kështu ka bërë të ditur kryetarja e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmie Gori.
Arsyeja e largimit nga sistemi shëndetësor i Kosovës, sipas Gorit, është çështja e pagës.
“Ndërrimet e natës, festat nuk paguhen, çështja e pagës diskriminim mes infermierëve dhe mjekëve, ngarkesë e madhe në punë, mos vlerësim i punës së infermierëve, mos marrja pjesë në vendimmarrje, në Borde, askund”, u shpreh ajo.
Për ish-ministrin e Shëndetësisë, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e LDK-së, Armend Zemajn, statistikat e ikjes së infermierëve nga Kosova janë tmerruese.
Ai ka deklaruar se largimi masiv i profesionistëve shëndetësor është alarm.
“Shifra të tilla të largimit të infermierëve janë me të vërtetë tmerruese, d.m.th. ka kaluar vetëm gjysma e vitit dhe kemi ketë interesim kaq të lartë të ikjes së infermierëve, nuk do të quaje shqetësim por ALARM, zhurma e të cilit po has në vesh të shurdhër”, theksoi Zemaj.
Deputeti Zemaj ka radhitur disa nga arsyen që infermierët po largohen nga vendi.
“Ka shumë arsye, pasiguria për zhvillimin e karrierës, mungesa e mundësive për avansimin e njohurive, pagat e vogla, mos pagesa e orëve shtesë, ambienti toksik dhe trajtimi i padinjitetshëm në vendin e punës”, u shpreh ai.
Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë muaj më parë kanë thënë për Front Online se është duke punuar që të krijojë kushte me të mira për stafin shëndetësor.
“Ministria e Shëndetësisë është duke vazhduar me investime në infrastrukturë e pajisje mjekësore, në mënyrë që profesionistët të mund të shfaqin gjithë potencialin e tyre. Edhe në buxhetin e këtij viti është paraparë sigurimi i aparaturave më qëllim të ngritjes së shërbimeve të reja’’, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka deklaruar për Front Online se gjatë Qeverisjes së Kurtit mbi 1 mijë infermier janë larguar nga Kosova.
Haxhiu thotë se profesionistët shëndetësor janë të pakënaqur me kushtet e punës dhe pagat.
“Vetëm gjatë viteve 2021, 2022, 2023 gjatë Qeverisë Kurti nga Kosova kanë ikur 1304 infermierë, të pakënaqur me pagat dhe kushtet e punës”, deklaroi ai.
Deputeti i PDK-së vlerësoi se për t’u larguar nga vendi infermierët i ka nxitur injorimi i Qeverisë.
“Kërkesat e infermierëve janë injoruar nga Qeveria dhe kjo ka nxitë ikjen e tyre nga Kosova për kushte më të mira”, u shpreh Haxhiu.