Të paçim kryetar–ironia e udhëheqësve të përjetshëm
Nga Edlira Gjoni
E keni vënë re udhëheqësin e Rilindjes së këtij shekulli se sa me kujdes e këmbëngulje e përdor median (tradicionalen dhe socialen), takimet gju-më-gju me popullin, insertet e mrekullueshme ku çdo gjë që thotë ai duket e artë, pamje nga njerëz që e ndjekin me gojë hapur sikur po ndjekin një profet e jemi 2 mijë vjet pas, se si postohen vrullshëm foto frymëzuese nga takimet e tij pa fund e pa krye, ku ai është gjithmonë ngadhnjimtar? Dhe askush nuk e kundërshton. Larg qoftë. Vetëm “Shoku Rama rrofsh sa malet” dhe “Ç’do ishte pa ty Shqipëria” shkruan ushtria e komentuesve të punësuar nën çdo postim të tij. Do ishte ëndërr e çartur. Por s’është veçse propaganda që me mjetet e saj agresive na nxjerr në pah, me hir e me pahir në TV, në gazetë, në celularin tonë personal vetëm pamjet dhe fjalët heroike të kryministrit tonë që e paskemi kaq të zgjuar. Se mos vetëm aktuali.
Vetëm 3 vjet më parë, në një mënyrë pak më anadollake, shihnim si Berisha thyente rekordet e notit e gojët e liga thoshin se nën ujë, disa ushtarë të gardës me turne mbanin trupin e heroi lart. Është personaliteti i heroit, kulti i më të mirit, i të pazëvendësueshmit që ngrenë me këto mekanizma pothuajse të gjithë krerët politikë, sapo ju vjen era e pushtetit. Është dukuri që ndodh në regjimet totalitare (se pse më vjen në mend Kim Jong), ose në ato autoritare (fiks si Rodrigo Duterte i Philipines, që tha botërisht se nuk ia bën syri tërr as nga Barak Obama, e jo më nga Donald Trump). Ja këta janë modelet që ndjek Shqipëria: të udhëheqësve të qeverisë, shtetit apo të partisë, që ngrenë kulte mbi propagandën, duke përdorur median, po edhe shtetin po e deshi puna, e duke u shitur si shenjtorët pa të cilët, Zot mbaj dorën, Shqipëria do të dështonte tërësisht.
Tallet, bën romuze e qesh Rama në rastin më të mirë me fshatarët, bujqit e grushtin e njerëzve që i sjellin ulur në gjysëmrrethin rilindas ngjyrë vjollcë sa herë shkon të drejtojë ndonjë monolog. E në rastin më të keq, i shpotit e i përbuz. Me këto, media mbush faqe e edicione krenarie, duke nxjerrë në pah “mençurinë dhe batutën e kryeministrit”. Domethënë, talljen hapur me ata që e kanë votuar. E nuk është hera e parë që shohim të tillë fyerje për votuesin, qytetarin, shpresë-tulaturin shqiptar. Sa mbajnë mend, të rinj e të vjetër, udhëheqësit në baltë i kanë lënë.
Më vjen ndër mend në vitin tanimë të largët 2005, kur pas dështimit përballë Nanos e Mejdanit, Rama kthehej të kandidonte për kreun e PS-së kësaj radhe vetëm kundër Nanos, që e kishte marrë rrugën e daljes nga politika. Dhe ka bërë një fjalim revolucionar Rama, më apelues se të gjitha romuzet e Rilindjes; e mendonin shqiptarët “Më në fund, ka dritë në fund të tunelit”. Po ky elektrik dore, që ka 11 vjet që është i supozuar të udhëheqë PS-në e Shqipërinë jashtë tuneleve e ngërçeve, ka ngecur vetë aty prej 11 vjetësh. Sipas makinës së tij të propagandës (ngjashëm si Berisha), ai është aty për shkak të meritës dhe me legjitimitet të plotë, se i paska fituar çdo mandat zgjedhjet për kreun e PS-së: edhe ndaj Shkëlqim Metës (ëndërr e largët, ë), edhe ndaj Maqo Lakrorit. Këto koka turku, ashtu si edhe Shezai Rrokaj në të majtën tjetër apo deri diku edhe Lulëzim Basha tek Partia-Në-Vend-Numëro, janë tregues të qartë se sa legjitimë dhe të vërtetë janë krerët e partive politike në Shqipëri.
Kulti, figura heroike, bariu biblik që kujdeset për delet popull, nuk është asgjë më shumë sesa pengmarrës i baçës së tij të vogël partiake, e më pas, edhe asaj të të gjithëve, të Shqipërisë.
Po cilat janë tiparet kryesore të këtij kulti prej “të pazëvendësueshmi” edhe për partinë, edhe për vendin? Neglizhimi i gjithkujt e gjithçkaje përreth. Ngritja e një bote paralele ku servilët dhe ekipi i propagandës, duke dashur të manipulojnë popullin, manipulojnë edhe kryetarin vetë. Ai e sheh vendin përmes syzeve të të tjerëve. Gjysëmrrethi është gjthmonë plot dhe askush, ASKUSH përvec atij, nuk ka të drejtë. As për të kërkuar punë, as rrugë, as drejtësi, as siguri, as garanci se nuk do jemi edhe 50 vjet fshatarë të përbuzur nga Shqipëria. Të përbuzur së pari prej atij vetë. Anashkalon zërin kundërshtues kryetari. Lëshon shkëndija për mendime ndryshe brenda partisë në mënyrë goxha të shpeshtë. Largon njerëz nga e majta sikur të jetë pronë e tij, e me arrogancë të cuditshme metaforizon për kos, libra e mendime ndryshe.
Edhe si kryetar partie, edhe si kryeministër, Rama mund të ketë batutë. Po a e shpëton natyrën groteske të zgjedhjeve në PS batuta e tij? A e ndihmon Shqipërisë të ecë përpara?
Lajmi i keq nuk është një. Jo, por përtej kësaj, e keqja më e madhe është se Rama nuk është i vetëm. Të gjithë kryetarët e partive të tjera janë po kaq padronizues. Berishës iu dëshën gati 20 vjet të linte (gjoja) kreun e Partisë Demokratike. Kur ta besojnë mbështetësit e PD-së vetë se partia e tyre ka kryetar tjetër, atëherë do ta besoj edhe unë. Në pamje të parë duket sikur ndikimi dhe prania e tij është ulur. Por pas kësaj tymnaje, qytetari dixhital njeh dhe informon vetëm Berishën edhe për më të errëtin sekret për çdo frymor mbi dheun e Shqipërisë. Pra fuqia e tij është e fortë. E fortë.
Meta po ashtu është kreu i partisë së tij qysh ku u themelua. NJëlloj janë të gjitha partitë shqiptare që me siguri, dinë dicka më shumë sesa anglezët, amerikanët, suedezët apo edhe italianët së fundmi, që i ndërrojnë kryetarët kur punët nuk venë aq mbroth.
Po pse kjo dashuri me të qenit 50 vjet krytar? Asnjë shqiptar tjetër të aftë nuk paska që të sjellë frymë të re në partitë e mëdha? Apo ushtria e mbështetësve të goditur në mënyrë agresive nga propaganda, është gati të shtrihet edhe barkas, vetëm kryetarin të mos ua ndërrojnë?
E keqja më e madhe është jo tek individët kryetarë, por tek fryma dhe sistemet që ata ndërtojnë, rrethuar nga njerëz manipulatorë, erashkë-tundës dhe mbajtës cantash e valixhesh, që do jenë brezin tjetër edhe më arrogantë e narcizë se kryetarët e sotëm. Që të ndryshojë Shqipëria, duhet të ndryshojnë ata që e mbajnë peng atë: të përjetshmit që largojnë, tallin e përbuzin gjithkënd e gjithcka, duke filluar nga shqiptarët (votuesit) vetë. E që kjo të ndalë, vota duhet të jetë pak më me peshë: në parti dhe jashtë saj, në popull; në zgjedhjet ku akoma votojmë si para viteve ’90 (kryetarin dhe partinë, e jo kandidatin apo programin, që ku t’i gjejmë?). Koha e kryetarëve të përjetshëm ka përfunduar. Punoni ta meritoni atë për aq vite sa ju takojnë të jeni në krye. Dhe hapni krah, për të mirën e Shqipërisë.