Të ndërtosh, të banosh, të mendosh (II)

Të ndërtosh, të banosh, të mendosh (II)

Martin HEIDEGGER

Këto tri fakte na ndihmojnë të vërejmë se moskonsiderata ndaj faktit që çdo ngrehinë është një vendqëndrim në vete –  jo vetëm që errëson kuptimin e qartë dhe të drejtë rreth asaj se ç’është ndërtimi, por edhe që pyetjen nuk e kemi shtruar sa duhet mirë.   Nuk banojmë pse kemi ndërtuar, por si banorë ndërtojmë së banuari.

Por ku fle thelbi i banimit? Dëgjojmë edhe njëherë apelin e gjuhës: fjalët “wuon” nga saksonishtja e vjetër si dhe ajo “wunian” nga gotishta njejtë sikur fjala e lashtë “bauen”, kanë kuptimet e qëndrimit, ngulimit, zënies së istikamit, gravitimit. Por në gotishte, realizimi i këtij ngulimi tingëllon edhe më  qartë: “Wunian” do të thotë: qetësi, prehje, gjetje e prehjes, qetësi përbrenda prehjes.

E fjala prehje në këtë rast shpreh lirinë, të shlirshmën (‘das Frye’), me ç’rast ‘frye’ ka kuptimin e shmangies parake nga ndonjë kanosje a dëmtim. Me fjalë tjera ka kuptimin e sigurimit paraprak. Liria në thelb do të thotë siguri. Të jesh i lirë do të thotë të jesh i mbrojtur. E mbrojtja nuk nënkupton vetëm mirënjohjen ndaj mbrojtësve. Thelbi i të qenit i ruajtur/mbrojtur është  afirmativ.

Kur një gjë e lëmë të rrjedhë në lirshmërinë e thelbit të vet, në ekzsitencë të veten, realizohet edhe përkitja kuptimore e fjalës “frein”: e që është fortifikim, murosje. Banimi, gjetja e prehjes, nënkupton gravtimin e fortifikuar në ‘Das Frye’ – në strehën thelbësore të gjithësecilit ekzistent. Cilësia bazike e banimit është kjo Mbrojtje,  ky strehim ruajtës. Ky strehim përmbush tërë horizontin e banimit. E ky horizont shpalosë vetëvetën i menduar si një vendbanim i qenies njerëzore, me fjalë tjera nënkupton ngërthimin e banonjësve vdekatarë mbi sipërfaqen e tokës.

Por “të qenit në tokë”, është sinonim i “të qenit nën kupën e qiellit”. E të marrura së bashku, nënkuptojnë “të qenit pranë hyjnores” si dhe një situim të përkitjes së ndërsjellë mes njerëzish. Kësodore, toka, qeielli, divinetetet  dhe të vdekshmit, i përkasin rrënjes katërcepëshe të Qenies.

Toka është shërbëtore mbrujtëse: ajo i’u jep luleve limfën pulsuese, na hapet para syve në formë uji e shkëmbinjsh, bimësh e kafshësh. Kur përmendim tokën na kujtohen edhe tre cepat e tjera të së katërtës, por jo edhe vetë njëshmëria e të katërtave (Qenia).

Qielli është rruga përkah parakalon qerrja e diellit; rrjedha zhvendosëse e hënës; shëmbëllimet udhëtare të yjeve, përdëllimi dhe egërsimi i motit e ndrrimi i stinëve.  Zbardhja dhe muzgu i ditës,  ikja e reve në blu të errët, errësira dhe shkëqimi i natës. Kur përmendim qiellin, mendojmë edhe në tre cepat tjerë, por e harrojmë krejtësisht çashtërsinë e së Katërtës.

Divinët janë të thirrurit e Zotit.  Mbërrijnë e bëhen të dukshëm me urdhërsat hyjnore, me vetë shpalosjen e Zotit, si dhe tëhiqen prapa së bashku me vetë  tërheqjen e zbulesës. E kur themi divinët mendojmë edhe në tre cepat tjerë, por – sërisht –  e harrojmë krejtësisht çashtërsinë e së Katërtës.

Të vdekshmit janë njerëzit. Atyre u thonë të vdekshëm, vdekatarë, sepse mund të vdesin. Të vdesësh do të thotë ta bësh vdekjen si vdekje. Vetëm njeriu vdes, si vdekatar në tokë, nën qiell, dhe për sa kohë që qëndron pranë divinëve si vdekatar vazhdimisht. E kur themi divinët mendojmë edhe në tre cepat tjerë, por – sërisht – e harrojmë krejtësisht çashtërsinë e së Katërtës.

Çashtërsinë e të katërtës e quajmë Katërshe. Vdekatarët për sa kohë që banojnë, janë pjesë e kësaj Katërsheje. Por cilësia themltare e banimit u tha se është ruajtja/strehimi. Së këndejmi vdekatarët banojnë vetëm në saje të strehimit dhe ruajtjes së Katërshes në thelbin e tyre.

Përktheu: Fatlum SADIKU

Vijon

Shpërndaje në: