Të lënduarit nga mjeti shpërthyes në Gjakovë i amputohet dora
Personi që u lëndua rëndë si pasojë e kontaktit me mjet shpërthyes në Gjakovë fillimisht është trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”.
Mjeku kujdestar në Spitalin e Gjakovës, Gjok Komani ka treguar se viktimës i është amputuar shuplaka e dorës nga mjeti shpërthyes dhe se i njëjti ka pasur lëndime edhe në ekstremitetet e poshtme.
“Lëndim nga një masë eksplosive që ia ka ataku shuplakën e dorës, e ka amputu, e ka këput në fakt, edhe ka pasë lëndim të ekstremiteteve të poshtme, nën gju të dy anëve. Në anën e djathtë ka qenë edhe frakturë e nëngjurit me lëndim të indeve të buta, kurse në anën e majtë ka qenë vetëm lëndim i indeve të buta, pa frakturë, pa lëndim, pa ataktim të kockave” – ka thënë Komani për KALLXO.com.
Komani ka njoftuar se në Spitalin e Gjakovës e kanë ekzaminuar të lënduarin dhe për shkak të mungesës së kirurgut vaskular e kanë dërguar në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.
“Te na është reanimu, është ekzaminuar dhe është dërgu në ekzaminim shtesë diagnostifikues, me rentgen e me këto dhe është konstatu ato që thash më herët. Edhe ka marrë një dozë gjak dhe në mungesë të kirurgit vaskular, i cili në këto raste zakonisht konsultohet për arsye se mund të preket sistemi vaskular, është dërgu për Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm” – njoftoi Komani më 25.05.2024.
Lëndimet e rënda trupore si pasojë e kontaktit me një mjet shpërthyes të të lënduarit në Gjakovë i konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Sipas Elezajt, rasti ka ndodhur në fshatin Babaj Bokës dhe se për të ishin njoftuar rreth orës 11:15, më 25.05.2024. Ai ka njoftuar se ekipet e Policisë i janë përgjigjur rastit dhe i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 11:15 jemi njoftuar se viktima mashkull i moshës madhore kishte pësuar lëndime të rënda trupore (dyshohet si pasojë e kontaktit nga mjet shpërthyes) në një fushë të hapur në fshatin Babaj Bokës-Gjakovë. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit dhe viktima është dërguar me emergjencë për trajtim mjekësor” – ka thënë Elezaj.
Elezaj njofton po ashtu se aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për këtë rast.