Të kurthuar në simboliken: Myslimanë për bajram, patriotë në ndeshje futbolli

Të kurthuar në simboliken: Myslimanë për bajram, patriotë në ndeshje futbolli

Duke qenë me dekada e shekuj në mjegullën e analfabetizmit; moskuptues, ahistorikë, me një botë veç katërqind a pesëqind fjalëshe, ne e kishim të zorshme të depërtonim në thellësi të ideve. T’i rroknim ato, t’i përpunonim, dhe të farkëtonim identitetin kolektiv [dhe individual].

Shoqëria jonë është myslimane sipas statistikave. Ndoshta shifra shkon deri në 90 për qind. Por e gjithë kjo shifër nuk shkon në xhami. Nuk i falë pesë vaktet. Nuk mban ramazan. Nuk i ndjek udhëzimet e Kuranit. As gjysma bile. Këto përshtypje nuk besoj që i ndaj vetëm unë – sepse rrethi im i njerëzve nuk ndryshon skajshëm prej rrethit të të tjerëve. Domethënë, pjesa më e madhe e kësaj shoqërie në të vërtetë e ka konstituuar identitetin e saj islam duke qenë pësore, pasive, në pamendim, në mjegull. Një traditë kjo, e hershme, ndoshta me shekuj e hershme, kur idetë përqafoheshin pikërisht në të njëjtën mënyrë – dhe më pas, praktikimi i tyre diktohej nga leverdia.

Nuk besoj që dikush mund ta mohojë që, pavarësisht tipeve të ndryshme të kulturës islame brenda nesh – disa mbetjeve në moralitet e në koncepsione – shoqëria jonë është myslimane veç simbolikisht. Për bajram. Për një moral patriarkal që i ndërlidhet edhe me traditën e saj, me kanunin e ku ta di unë.

Por, po njësoj, simbolike është edhe në nacionalizëm. Dje a pardje, luajti Zvicra kundër Serbisë. Një Zvicër që në përbërje ka shqiptarë, serbë, boshnjakë, spanjollë etj. Por, nacionalizmi i shqiptarëve, që e nxjerr kryet nëpër festa, dhe së fundi më së shumti në ndeshje futbolli, shpurdhi sërish. U nxorr sërish pjesa më primitive e saj, ajo që çon në racizëm, domethënë u nxorr romanticizmi i kësaj ideologjie, gjaku, krenaria me gjakun, me të kaluarën, me origjinën.

Xhaka e bëri shqiponjën, e po njëjtë veproi edhe Shaqiri. Dhe njerëzit sërish iu turrën Facebook-ut. Sërish për t’u krenuar. Sepse, krenia [ky lloj, sidomos] është e kundërta e turpit – dhe është reagim ndaj turpit, i cili nxjerr krye në të shenjtën përditshmëri, dhe në racizmin internal që e qesim pa marre në pah nëpër hapësira private, ose nëpër ato vende ku zëri ynë është më i izoluar.

Kësisoj, në skemën e racizmit tonë, në skemën e eternalizimit të relacioneve, ne jemi të fundit. Ne veten e shohim si të fundit. As serbët, as rusët, as dikush tjetër. E zbërthyer, ajo skemë ku ndodhen relacionet eternale mes popujve, shqiptarët, sipas vetë shqiptarëve, janë më të dobëtit. “Dijet e ndrydhura” [Subjugated knowledges] nuk mund të lihen menjanë. Jo, ato rrëfejnë më shumë se fjalët që zgjedhim të shprehim në Facebook. Në hapësira të tilla, sidomos ku fjalët tona lexohen a dëgjohen nga shumë njerëz, ka tepër shumë politicitet. Mund ta ilustrojmë këtë përmes urimeve për bajram, ku i përngjajmë tepër shumë politikanëve, të etur për popullaritet dhe për tolerancë.

Këta katër lojtarë shqiptarë që e kanë zgjedhur Zvicrën para Shqipërisë, e tre prej tyre edhe para Kosovës, e shenjojnë kulmin e hipokrizisë patriotike. As patriotizmi nuk ka hyrë në të menduarën. Dhe krenaria, nuk është tjetër veçse një shprehje e leverdisë, një shprehje e dëshirës për turmëzim, për dehje. Një komb krenar, sado e gabuar qoftë kjo, nuk do ta pranonte lehtë refuzimin. Për asnjë arsye. Por ja që, nga sharja “magjup” që ia bënë Behramit para dy vitesh, përnjëherësh, po të njëjtit, filluan të krenoheshin me të.

Nacionalizmi i një pjese të madhe të kosovarëve nuk është veç pa mendim, por edhe pa kujtesë. Ai harron se çka ka bërë dje. Ai harron se kënd e ka votuar dje. Kënd e ka zgjedhur. Çka ka bërë në të shenjtën përditshmëri. Dhe ashtu, pamendueshëm e pakujtueshëm, kërkon kënaqje e dehje.

Adnan Januzaj është një tjetër futbollist që luan në Botëror me origjinë nga Kosova. Adnanin e shanë e e linçuan për deklaratën që e kishte bërë “Jam belg, dhe ndihem belg” para një jave. Sepse nuk arrijnë të kuptojnë se si dikush përnjëmend nuk kënaqet në mbledhjet e tyre patetike të derdhjes së krenarisë. Nuk arrijnë të marrin vesh që ekziston një konceptim në botën moderne për individualen. Ku njeriu vendos vetë që të prioritetizojë atë çka është e rëndësishme në identitetin e tij. Në Facebook, disa nuk arrinin të kuptonin se si një njeri me origjinë nga Istogu, me emrin Adnan e mbiemrin Januzaj, mund të ndihej ‘belg’. Shihni me kujdes se sa me përbuzje i thuhet prejardhja, emri e mbiemri. Edhe këtu kollaj dëftohet racizmi internal. Për gjithë këta njerëz, që deri dje ishin viktima të racizmit, dhe që nuk shiheshin përtej identitetit etnik, nuk kuptohet se si dikush mund të jetë nacionalist [nacionalizmi nuk është veç organik e romantik, por mund të jetë edhe etatist] përtej simbolikes. Se si dikush mund të jetë nacionalist, pa u drithëruar prej himnit, pa bërë ndonjë simbol prej idioti, por thjesht duke kontribuar, dhe duke i marrë mundësitë që krijohen.

Pastaj, fare në fund, mos të harrojmë masën e madhe të njerëzve që ikën prej këtij vendi drejt vendeve të zhvilluara perëndimore që nga viti 1999. Këta njerëz ikën nga përgjegjësitë që iu takojnë si pjesëtarë të një shoqërie që kishte nevojë të emancipohej e të zhvillohej përbrenda. Por këta ikës, që megjithatë dërgojnë remitenca, e refuzuan fatin e njerëzve të këtushëm, e njerëzve që nuk mund të iknin ose që vullnetarisht qëndruan. Refuzuan të përballeshin me njëmijë e një probleme të këtushme. Sepse si pikë e parë, donin ta bënin shqiponjën me duar me një qëndrim krenar, të kishin kushte të mira për të shprehur nacionalizmin e tyre simbolik, dhe të na shihnin nga lart-poshtë.

Shpërndaje në: