Të jesh AAK-ist
Dosido se ky fat a mallkim i partive në fjalë ka kohë që ma ndërmend AAK-në tonë. Me rrugëtimin e AAK-së pakkush është marrë tek ne, ndërkohë që kjo parti ofron tabanin e mirfilltë për një përqasje poaq mirfilli studioze. Shikuar në gjenaologji, në vijë ideologjike AAK është një plasë e ilegalës shqiptare në Jugosllavi, e organizuar rreth LPK-së, por që më vonë, përgjatë rrugëtimit strukturor, respektivisht zgjerimit në terren paslufte, e kthyer në një lloj përthithëse të davartijeve të çuditshme të elektoratit të LDK-së, por edhe e emrave të veçantë të PDK-së e madje edhe të proviniencës me të kaluar titiste.
Duhet të ketë qenë viti 2000, pra fill pasi që lindi partia, momenti politik kur në AAK qe bashkuar edhe ish-funksioneri i lartë i kohës jugosllave, Mahmut Bakalli. Pak muaj më vonë siç del nga një fotografi të publikuar tash së voni, shihet Ramush Haradinaj teksa i ngazëllyer kishte pas festuar lirimin e Albin Kurtit nga burgu në Serbi. Mahmut Bakalli dhe Albin Kurti, në një tis krejt të të ngushtë dhe të afërt kohor, besa, paksa anakronike! Dy vite më vonë, Bakalli do të ishte dëshmitari i parë në seancë gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Hagë, ku me një paraqitje krejt inerte, ndërlikoi edhe më shumë mundësinë definuese të AAK-së. Jo rastësisht Rexhep Selimin e Mahmut Bakallin nuk mundi t’i bashkonte e njejta çati.
Por nuk është vetëm ky paradoks i tendencës së shkrirjes së skajshmërive ideologjike, paradoksi i vetëm që ka karakterizuar rrugëtimin e AAK-së. Kjo ngase pos që nuk mund të kuptohej se ç’donin me një ish komunist dhe aparatçik të ish-sistemit, nuk mund të kuptohej as lufta për tu treguar më turbooksidentalë se vetë Perëndimi në një kontekst kur këtë bajrak veçse e kishin LDK e PDK. Deficitarizmi mendësor, shkollar dhe ideologjik i partisë ishte lehtësisht i vërejtshëm. Aq më shumë kur ngjitja e partisë me përjashtim të Deçanit, një pjesë të Gjakovës dhe një pjese të Pejës, nuk kishte se si të vinte nga poshtë-lart (kusht i demokracisë), meqë vetë Haradinajt i’u bënë të njohur publikut pak më të gjerë tek më 1998-2000, si dhe nga fakti se vetë Haradinajt u ngulitën në Prishtinë, (fole kjo e LDK-së), vetëm paslufte.
E megjithatë partia nuk hiqte dorë nga përjetimi piemontesk i vetëvetës dhe liderit. Duke u thirrur në kontributin dhe në sakrificën gjithsesi të pamohueshme familjare të Haradinajve, AAK-ja dështoi disi here rradhazi me Besnik Tahirin në Prishtinë, injoroi minimum dy kahëzime të mëdha politike, orientimore e identitare që i ngjanin para syve, dhe që si parti e tretë do të duhej të mos lejonte t’i iknin: nacionalizmin “e ngelur” shqiptar dhe prirjen e një pjese të shqiptarëve drejt vehabizmit. Por pos thirrjes në kontributin “piemontesk” të Haradinajve, AAK s’bënte gjë tjetër pos se përçonte mesazhin që populli duhej t’i “begeniste”, pa “iu begenisur” këta vetë popullit. E kjo u tregua e pamundur, aq më shumë kur për krerët dhe strukturën e partisë, nisën të rrjedhin fjalë, si për njerëz haraçaxhinj e banditesk. E injorimi i drejtimit dhe akseve që merr/pulson shoqëria, dosido se kushton me denim të të qenit i gozhduar politikisht.
Në momentet kyçe pas marsit 2004, kur ai që njihej si krah i luftës po arrinte në zenitin e të ndhodhurit në udhëkryq, Haradinaj që me gjasë kishte pas qenë edhe më herët i informuar për akuzën ndaj tij, zgjodhi koalicionin me LDK-në, një e papritur kjo goxha e madhe. Ai nuk hezitoi madje t’i çuante edhe vijën e lartë politike të PDK-së, s “komandantë të Bllacës”. Pos largimit fizik nga Kosova ky makinacion i Haradinajt pati peshë të dyfishtë a trefishtë: Haradinaj u mor si kryeministër, partia e tij u gjend në pushtet, si dhe u kapitalizua “100 ditëshi i Ramushit” si njëlloj qeverisje demek për mbamendje e dikujt që ngjizi unitetin e krahut të luftës me atë pacifist.
Por kjo doli të jetë farsë, meqë pjesa nacionaliste që se gjeti veten tek piemtonizmi familjar i Haradinajve, pasurimi i shpejtë, si dhe tek zigzaket që bënte partia, i’a mbajti (kryesisht) ose kah PDK në rritje (sado që edhe PDK po zhveshej gjithnjë e më shumë nga diskursi i saj nacionalist), ose kah Lëvizja Vetëvendosje që sapo doli në skenë, faktorë këta që ngushtuan edhe më tej rrethin e AAK-së, respektivisht mundësinë të ngrisë kauza. AAK mori intenvizisht pjesë edhe në negociatat që pasuan ngjarjet e marsit 2004 duke mosdalluar kështu ta zëmë as nga ORA, e lërë më nga PDK e LDK. E ofroi afër vetës në vija jozyrtare Enver Hasanin, teksa ky ishte rektor i UP-së, por nuk çoi më tej ndonjë ndryshim me të, përkundrazi.
Nuk shfaqi ndonjë kundërshtim serioz a të vendosur as ndaj procesit të privatizimit të vendit. I’u nënshkrua formatit të pavarësisë të derviuar nga Plani i Ahtisaarit. Nuk kundërshtoi as rinisjen e negociatave me Beogradin, anipse tashmë kishte humbur primatin e partisë së tretë në vend, dhe pak a shumë nuk ndrroi kurs prej opozitarizmit formal deri me Jabllanoviqin, ikjen e afro 100 mijë qytetarëve nga vendi, dhe sidomos jo deri me demarkacionin. Prishja e VLAN-it nga Mustafa, disi implikonte edhe AAK-në meqë Thaçi nuk hezitoi t’ia kujtojë AAK-së lajkat dhe kërkesat për ndarje postesh që sipas tij, bëheshin prapa skene.
Ndarja edhe nga blloku me VV-në dhe bashkimi me NISMA-n e skulptoi AAK-në disi si parti që më shumë i pritet të lidhet me një pjesë rudimentare deri dje e PDK-së, se sa me partinë opozitare në vend. Bedeni i fundit AAK-ist ku nuk ka penetruar krejt ajo çfarë duan Thaçi, Veseli e Mustafa nga kjo parti, është këmbëngulësia për demarkacionin. Koha do të tregojë se a do të ngjajë edhe kjo. Deri më tani AAK më shumë ka sjellur zhgënjim se shpresë. Aq më keq kur ky zhgënjim vije pas shembullit që krerët e kësaj partie dhanë përmes sakrificës së treguar në luftë.