Të harruar nga shteti: Pensionistëve s’u lejohet angazhimi as në institucionet me mungesë kuadrosh

Të harruar nga shteti: Pensionistëve s’u lejohet angazhimi as në institucionet me mungesë kuadrosh

Në bazë të ligjit të Kosovës, qytetarët në moshën 65-vjeçare dalin në pension. Pavarësisht kualifikimit, njëjtë si të papunët, edhe të punësuarit që arrijnë këtë moshë përfitojnë 120 euro në muaj, sa është pensioni i pleqërisë. Shumë institucione kanë deficit kuadrosh, përfshirë ato të kujdesit terciar shëndetësor, por ligji përbën barrierë për angazhimin e pensionistëve. Disa nga profesionistët e pensionuar ndihen të braktisur dhe të zhgënjyer që nuk u kërkohen as këshilla.

Përvoja profesionale disadekadëshe në siguri e mbrojtje ish-komandantit të përgjithshëm të FSK-së, Kadri Kastrati, nuk i ka hyrë në punë prej kur ka arritur moshën e pensionit.

Kur mbërrijnë moshën 65-vjeçare të punësuarit, përfshirë edhe kuadrot e kualifikuara, nuk angazhohen nga institucionet publike, qoftë si këshillë profesionale.

E për këtë Kastrati shprehet i zhgënjyer.

“Që nga pensionimi im në vitin 2015, të them të drejtën jam zhgënjyer shumë herë, marrë parasysh që asnjë ministër, asnjë kryeministër, asnjë president, asnjëherë nuk më ka ftuar që të konsultohet, që të këshillohet, që të jap mendimin tim në fushën e mbrojtjes, përveç një ministri…”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ka treguar se ndryshe sillen shtetet e tjera me kuadrot.

“Më kujtohet një rast në SHBA në Pentagon, ku komandanti i të gjitha gardave nacionale të Amerikës, gjenerali me katër yje rreth vetes i ka pasë gjeneralët në pension, që e kanë këshilluar, kanë qëndruar afër tij dhe nuk e kanë lejuar që ai të gabojë dhe të kryejë misione ashtu siç duhet”, ka thënë ai.

Ligji në Kosovë përcakton që nëpunësi që mbërrin moshën 65 vjeç del në pension.

Norma prek edhe kuadrot deficitare.

Anesteziologu i pensionuar Agron Balaj, i cili doli në pension një vit më parë, thotë se pavarësisht synimit që të vazhdojë punën në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, kjo nuk iu mundësua.

“Ka pasë tendenca që të kthehem, por për shkak të ligjeve ekzistuese nuk ka qenë e mundur të vazhdoja punën. Mjekët që kanë kondicion dhe janë me shëndet mirë duhet të vazhdojnë, sidomos te specializimet deficitare që janë, siç është anestezioni dhe disa të tjera”, ka thënë Balaj.

Gjatë këtij viti 94 profesionistë shëndetësorë janë pensionuar.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë se shkaku i mungesave institucionet shëndetësore kanë nevoja të mëdha edhe për punë direkte të specialistëve në pension.

“Ne kemi pasë kërkesa që në klinikën e Ortopedisë për punësimin e një specialisti tek këtyre të pensionuarve, që të vazhdojmë dhe të ndikojmë në zvogëlimin e listës së pritjes që është shumë reale, por nuk është gjetë një bazë ligjore e cila do të rregullonte këtë punë. Mendoj që me një vullnet politik, kjo ka mundur të rregullohej qe sa vite”, ka thënë Sejdiu.

Në universitete publike është mundësuar vazhdimi i kontratave të mësimdhënësve deri në fund të vitit akademik. Por, praktika është ndryshuar vitin që shkoi, por kontratat mund t’u vazhdohen mësimdhënësve vetëm në programe që mund ta rrezikojnë akreditimin.

Në tri dikastere qeveritare nuk iu përgjigjen pyetjeve të KOHËS, përkitazi me politikat që kanë të bëjnë me angazhimin në punë të atyre që mbërrijnë moshën e pensionit.

Sociologu Selatin Kllokoqi argumenton pse duhet ndryshuar norma ligjore që lidhet me moshën e pensionimit.

“Më e rëndësishme do të ishte nëse mosha e pensionimit do të vazhdohej tutje, jo të mbetej 65, por të bëhej në mënyrë opsionale, pra nëse institucioni ka nevojë, që ata të qëndrojnë më gjatë”, është shprehur Kllokoqi.

Gjenerali Kadri Kastrati ka thënë se po të ndryshohej norma, do të ishte i pari që do t’u ofrohej institucioneve.

“Jemi të gatshëm që të japim për shtetin, për vendin tonë, që të japim mendimet tona, eksperiencën tonë që e kemi kaluar një jetë të tërë në uniformë”, ka deklaruar Kastrati.

Pavarësisht kualifikimit, njëjtë si të papunët, edhe të punësuarit që arrijnë moshën 65 vjeçe përfitojnë 120 euro në muaj, sa është pensioni i pleqërisë. Ata mund ta sigurojnë dyfishin nëse dëshmojnë kontribute financiare të dhëna para luftës.

Shpërndaje në: