Të gjithë të kënaqur nga dhuna në Kuvend dhe nga Mimoza
Albin Kurti është dhunuar në Kuvendin e Kosovës. Në dy skena dhune, nga ato që askush nuk dëshiron të ketë punë, ai është përballur me shishen e ujit e më pas me shtyrje fizike, në përpjekje për ta qëlluar.
Irritimi që ka ngjallur në Kuvendin e Kosovës dhe përkatësisht tek disa pjesë të opozitës, burojnë jo vetëm nga historia e tij e dhunshme politike në Kuvend, por mbi të gjitha nga demaskimi i pazareve të tij me radikalët serb kundër veteranëve të UÇK, e cila në fakt e zbythi dhe e detyroi të tërhiqej nga gjithë marrëzia në Veri.
Tani të gjithë po merren me reagimin mbi dhunën në Kuvend, duke u përpjekur secili të përfitojë nga qëndrimi ndaj saj.
I pari, duket se nxitoi të Edi Rama, i cili mori pa pikë mëshire në mbrojtje Albin Kurtin, duke i tërbuar të gjithë. Të parin Albin Kurtin, i cili është e vetmja gjë që nuk do nga Edi Rama, për të cilin ka rezerva për “sundimin e ligjit”, dhe pastaj kundërshtarët e tij, të cilëve nuk u intereson shumë cinizmi i Edi Ramës, por fjalët publike në adresë të gjestit të tyre, që duket se u ka dalë nga shpirti.
I dyti, po përpiqet të përfitojë Albin Kurti, i cili ka mobilizuar militantët të brohorasin faktin që ai nuk u tremb nga shishe e ujit, edhe pse e ka përjetuar si me qenë raketë.
Pozat e tij qesharake si triumfator dhe njëkohësisht viktimë, janë në fakt ilustrimi i personalitetit të tij të dyzuar, mes dhunës politike që ka shpikur në politikën e Kosovës dhe viktimizimit prej saj, kur e ushtrojnë të tjerët.
Në të vërtetë, mënyra se si militantët e Kurtit po përpiqen të himnizojnë qëndresën e tij ndaj shishes së ujit, tregon se ata nuk kanë gjë me dhunën, pasi atë e kanë mjet të tyre. Ata e kanë me “heroin” që përballoi dhunën. Nuk di pse nuk e kanë quajtur hero dhe Isa Mustafën kur ka duruar vezët dhe gazin lotsjellës të tyre në Kuvend, dhe u duket më hero Albini që u lag nga uji i shishes, por ata i gëzohen faktit se nuk u lag në pantollona.
Së treti, të fituar ndjehen dhe autorët e dhunës politike, opozitarët, që në fakt nuk kishin fuqi ta mbanin zemërimin, kur i njëjti hipokrit që i ka lodhur në Kuvend me gaz lotsjellës dhe vezë, dhe me dhunim personalitetesh në rrugë, kapet në pazare me radikalët serb dhe ul brekët në Kuvend, për një histori që ka dëmtuar Kosovën tani e 8 muaj, duke e futur nën sanksione dhe duke e bërë shtetin më të pabesueshëm në raport me BE dhe SHBA.
Njeriu që mburrej se nuk u zhburrërua nga Biden, nga Blinken, nga Macron, nga Shultz, nga Lajçak e Escobar, në fakt u zhburrërua për 24 orë nga Mimoza Kusari, nga një videoinçizim.
Dhe kjo nuk ka si mos t’ua ngrejë nervat të gjithëve, kur njeriu i zhburrëruar nga Mimoza, sillet si gjel majë plehut në Kuvend, duke bërë sikur po tërhiqet nga marrëzia e tij pasi ka mundur gjithë boten. Në fakt nuk ka mundur dot as Mimozën.
Por në finale nuk mendoj se prej dhunës politike vjen ndonjë e mirë në Kuvend, por fakti që ajo lidhet përsëri me Albin Kuritn, shpikësin e dhunës politike në atë Kuvend, mendoj se nuk e turpëron Kuvendin e Kosovës. Turpëron atë që e ka shpikur atë metodë në atë Kuvend dhe atë që e provokoi po ashtu sot, vetëm që të shpëtonte nderin e Mimozës.
Kush e nis me dhunë, nga dhuna do ta pësojë. Dhe Kosova nuk ka humbur asgjë prej dhunës, provokuar nga Albin Kurti. Thjesht ka treguar se shpikësin dhe provokuesin e dhunës nuk e pranon.
Nuk janë të merzitur me të. As me Mimozën. Ajo ndihmoi opoziten te zgjohej nga gjumi, gazetarët të ndjeheshin triumfatorë dhe natyrisht Albin Kurtin te ndjehej viktimë. Madje ky i fundit as Mimozën se ka humbur ende.