Të gjithë kandidatët për deputetë e kalojnë filtrin e verifikimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Të gjithë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit e kanë kaluar filtrin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Pra asnjë nga ta nuk është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim efektiv.
Kështu tha zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Gazetën Express.
“Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër tjerash parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili “është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, andaj kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë verifikimin në raport me këtë kufizim ligjor. Përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është se asnjëri nga 1 mijë e 280 kandidatët e 28 subjekteve politike nuk bie ndesh me këtë pjesë të ligjit”, tha Elezi.
KQZ tashmë ka nisur me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë. Deri tani janë certifikuar 11 subjekte politike me 606 kandidatë, ndërsa në pritje janë edhe 17 subjekte me 674 kandidatë.
“Sipas KQZ-së, gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës (1 shtator – 11 dhjetor 2024, 23:59) kanë aplikuar: 28 subjekte politike, prej tyre: 20 parti politike; 5 koalicione; 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280 kandidatë. Deri më tani, KQZ ka certifikuar 11 subjekte politike me 606 kandidatë për deputet, ndërsa janë në pritje edhe 17 subjekte politike me 674 kandidatë.”
Elezi disa ditë më parë kishte thënë për Express se ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’ua dërgojnë emrat që janë të dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë me një ose më shumë vjet burgim efektiv.
KQZ përveç KGJK’së, ka kërkuar verifikim edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Gjithashtu, ky nen specifikon që kandidat nuk mund të certifikohet një person i cili është zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga PZAP-i të bëjë verifikimet në raport me këto kufizime ligjore. Neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është funksionar me status të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë apo anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomati. Për të bërë verifikimet e nevojshme edhe për këto kufizime ligjore, ne do të bashkpëunojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëe të Jashtme dhe e Diasporës.”