Të gjithë duhet të punojmë katër ditë në javë. Ja pse

Të gjithë duhet të punojmë katër ditë në javë. Ja pse

 

Imagjinoni sikur të kishte një politikë të vetme e cila do të hiqte papunësinë dhe punësinë e pjesshme, e që do t’i përmirësonte kushtet shëndetësore duke nisur nga problemet mendore deri te shtypja e lartë e gjakut, duke rritur poashtu produktivitetin, duke ndihmuar mjedisin, dhe duke e bërë më të mirë jetën në familje, më tej duke i inkurajuar burrat që të kryejnë punët e shtëpisë, dhe që në përgjithësi do t’i bënte njerëzit më të lumtur. Tingëllon fantastike, por ekziston, dhe është vonuar. Është fjala për punën katër-ditore.

Çlirimi i qytetarëve nga puna e tepërt ishte një prej kërkesave të para të lëvizjes puntore. Nga hiri i luftës civile, unionistët e tregut amerikanë kërkonin tetë orë punë në ditë, “një lëvizje që pati shpejtësi të madhe prej Atlantikut deri në Paqësor, nga New England deri në Californi”, siç shkruan Karl Marksi. Në vitin 1890 qindra-mijëra njerëz u mblodhën në Hyde Park në një protestë historike për të njëjtën kërkesë. Është një kauzë të cilës me urgjencë i vyen një ri-vendosje. Koment i Periskopit: Nga ajo lëvizje rrjedh edhe festë/protesta e 1 majit, datë që shënohet edhe në Vendin tonë.

Shumë britanikë punojnë tepër shumë. Nuk është çështja vetëm te 38.5 orët në javë me kohë të plotë; është edhe koha e papaguar poashtu. Sipas TUC-së, puntorët i kishin 2,1 miliard orë të papaguara vitin e kaluar – që përbën 33,6 miliardë funte.

Kjo mbi-punë shkakton dëme tepër të mëdha. Vitin e kaluar, 12.5 milionë ditë pune ishin humbur shkaku i stresit, depresionit apo ankthit që lidhej me punën. Stresi mund të rris rrezikun e të gjitha llojeve të problemeve shëndetësore, nga shtypja e lartë e gjakut e deri te ataku i zemrës. Hulumtimet madje tregojnë se puna në orë të gjata e rritë rrezikun e pirjes së tepërt. Dhe kjo ka edhe një kosto ekonomike të lartë: mbi 5 miliardë funte për një vit. Nuk është çudi që eksperti i shëndetit publik John Ashton është ndërmjet atyre që kërkon punë katër ditore për të përmirësuar shëndetin kombëtar.

Në këtë kontekst, thirrja e re për punë katër-ditore që po e bën edhe Instituti Autonom është shumë e mirëpritur. “Ne duam të ndërrojmë perspektivën e njerëzve, sepse sa më pak punoni aq më mirë e bëni atë punë,” – tha Will Stronge. Dhe me të vërtetë, një distribuim thellësisht i pashëndetshëm i punës po e plagos shoqërinë tonë. Ndërsa disa punojnë tepër shumë, me pasoja dërrmuese për familjet dhe shëndetin e tyre, ka rreth 3,3 milionë të “puntorëve që punojnë pjesshëm” e të cilët duan të punojnë më shumë. Një punë katër-ditore do të shtynte një rishpërndarje të këtyre orëve, në të mirë të secilit. Kjo do të bëhet edhe më e rëndësishme nëse automatizimi në sektorë si manufakturimi, administrimi dhe puna me pakicë do të krijonte më shumë puntorë të varfër dhe më shumë punësim të pjesshëm.

Një punë katër-ditëshe gjithashtu do të ndihmonte në çështjen e ndryshimeve klimatike: vendet me më pak punë javore është më e mundur të lëshojnë më pak karbon. Kjo politikë biles as nuk e shkatërron ekonominë. Puntorët gjermanë dhe holandezë punojnë më pak se ne por ekonomitë e tyre janë më të forta se e jona. Kjo do të rriste produktivitetin: evidenca tregon se nëse punoni më pak, do të jeni më produktiv – dhe më pak stres nënkupton më pak orë pune poashtu. Një eksperiment i fundit me gjashtë orë punë në ditë në një shtëpi motrash medicinale në Suedi prodhoi rezultate premtuese: më shumë produktivitet dhe më pak ditë të puntorëve të sëmurë. Kjo rritje e produktivitetit, do të bënte që të mos kishte as shkurtim rroge.

Pastaj është argumenti i barazisë gjinore. Pavarësisht hapave që janë bërë nga lëvizja e grave, gratë ende i bëjnë 60% të punëve shtëpiake. Një ditë e lirë ekstra nuk do të çojë paevitueshëm në shtyerjen e burrave që të kalojnë më shumë kohë në shtëpi. Por, siç sygjeon Instituti Autonom, një punë katër-ditore mund të shihet si pjesë e nxitjes për të promovuar barazi mes burrave dhe grave.

Të jep zemër kur sheh ringjalljen e një prej kauzave të mëdha e më të hershme të lëvizjes puntore. Unioni i madh gjerman, IG Metall, po kërkon vetëm 28 orë punë në javë, për puntorët dhe për ata që kanë përgjegjësi.

Por, vetëm shprehja e kërkesës nuk mjafton. Tash që socializmi po rizhvillohet si forcë politike që nuk mund të injorohet e të përqeshet, përpjekja për më shumë kohë të lirë, për familjen dhe për vetë relaksin duhet të lidhet me luftëra më të mëdha. Rritja e pronësisë publike të ekonomisë duhet të strukturohet që të krijojë më shumë vetëmenaxhim dhe kontroll nga puntorët. Nëse teknologjia përkthehet në shkurtime të mëtejme në sigurinë në punë, të ardhurat bazike univerzale – një pagë bazike që iu paguhet qytetarëve si e drejtë e tyre – mund të bëhet edhe më e dukshme.

Natyrisht, puna mund të jetë aktivitet përmbushës për disa. Më godet keq fakti, megjithatë, që vetëm pak nuk do të pajtoheshin me idenë se ne duhet të kalojmë më shumë kohë me familjet, të shohim fëmijët tanë të rriten, të ushtrojmë, të lexojmë libra, ose thjesht të relaksohemi. Shumë nga jeta jonë bëhet ashtu që ne e nënshtrojmë veten tonë ndaj nevojave dhe tekave të të tjerëve, duke iu marrë njerëzve pavarësinë.

Modeli ynë social nënkupton rritje ekonomike e cila shumë shpesh përfshin koncentrimin e e parave që prodhohen nga shumica në llogari bankare të pak njerëzve, pa e përmirësuar jetën e asaj shumice. Rritja duhet të dorëzojë jo vetëm prosperitet për të gjithë dhe shërbime më të mira publike, por edhe balanse më të mira mes punës, familjes dhe kohës së lirë.

Politikanët laboristë e vendosin veten si lajmëtarët e një shoqërie të re. Kjo duhet të nënkuptojë ndërtimin e një ekonomie të re që e heqë barrën e gjithë asaj pune që bëhet. Laboristët mund të fitojnë mundësinë që të ndërtojnë një Britani socialiste. Nëse kjo bëhet, do të ishte mjaft ambicioze që të çlirojmë qytetarët nga puna e tepërt që bëjnë. | Guardian | Periskopi

Shpërndaje në: