A do të flasim së shpejti për një VV prej argjili
Ka një siutim interesant të VV-së tash pas dy zgjedhjeve të fundit: rritja e papritshme (të paktën pak-kush ka pritur se do të jetë deri në 28%) – por përkundër rritjes në krahasim me zgjedhjet e mëparshme – rezultati jo i mirë në zgjedhjet komunale. E megjithatë të gjithë në VV duken të lumtur. Të gjithë të qeshur. Këto janë fytyrat e antarësisë, asambleistëve e besa edhe elektoratit të VV-së, sidomos në Prishtinë. Duket se nuk ua ndien fort. Në ndërkohë që në qendrat e tjera fuqia e tyre është krejt e vagët. Në fakt s’kane as struktura, por vetëm aktivistë.
Në Mitrovicë e Gjakovë duken të vendosur t’ia zgjasin jetën status quo-së, ndërkohë në Vushtrri thyen një akull të madh: bashkuan forcat me LDK-në. Vushtrria e buçiti edhe njëherë një hije të vogël të VLAN-it, vetëmse tani pa A-në dhe N-në:. Vetëm VL. Një VL lokal në vend të atij qendrorit të 2014-ës. Mbetet të shihet qëndrimi në Ferizaj, në ndërkohë që në Kamenicë iu ra të dëgjonin diçka që mbante erë 98-e: për LDK-në, akoma janë terroristë. Megjithatë po qëndrojnë stoik, që ndryshimin fluturak e drastik të na shesin si krejt normal.
Vushtrria realisht u humb nga moskandidimi i Dërgutit. Po të kandidonte, fitorja në Vushtrri do të ishte pothuajse e sigurt. Por Dërguti zgjodhi qendrën. Por s’është kjo kuintesenca. Muhabeti qëndron diku tjetër: tek penetrimi i mendësisë neoliberale prejse janë bashkuar me FER-in. Që ateherë librat e Leninit, Trockit, Marksit etj., zbritën nga raftet për t’u zëvendësuar nga diçka shumë më të butë dhe më të pranueshme: librat e Hysamedin Ferajt, Elvis Hoxhës etj. Diçka simbolike, por domethënëse.
Ç’është e vërteta, si për ironi VV-në dhe FER-in i ngjizi ‘rockfelleriani’ kosovar Haki Abazi, ani pse kjo rralleherë zihet në gojë. Sot situata është në pikën ku Shpendi bën fushatë me Selim Pacollin, kurse Bahtiri në Mitovicë i fut në xhep. Në fakt situata më tragjike është pikërisht në Mitrovicë dhe këtu për shumëçka VV s’mund të fajësohet, pos në një pikë: për injorimin që i ka bërë e i bën kësaj komune/rajoni. Kurti pa e formuar VV-në e vizatonte edhe veriun e qytetit, kurse kur u kthye në nacionalistin më të madh diskursiv, këmba e tij rrallë se shkelte jugun. Kjo është edhe arsyeja pse tani në Mitrovicë po ndodhen në situatë të zgjedhin mes injorancash, arrogancash e krimesh të dy-anshme. Në daç të Kadriut në daç të Agimit.
Pa e zgjatur shumë: ka edhe diçka që do të bije si shpatë e Demokleut këtë vit. Ajo është Gjykata Speciale. Nëse nis punën këtë vit, PDK do të shkundet edhe njeherë. Apo më mirë thënë PAN-i. Krejt kjo mund të çojë edhe njeherë tek riraktualizimi i sërishëm i temave të mëdha si lufta, pastërtia e luftës etj., mosbarazimi i agresorit me viktimën (sidomos në një kohë kur edhe procedimi i demarkacionit po has në vesh të shurdhër), apo tek pamjet e famshme ku Konjufca e Nuredin Lushtaku masin forcat se cili është më UÇK.. E kjo padyshim që implikon edhe në skizofreni e paradokse të reja të legjitimitetit sikurse të pozitës si të opozitës. VV do të ndodhet ngushtë: a të vazhdojë të kthehet në argjil e të bluajë butë, në një kohë kur ia ka ndjerë konsiderueshëm erën pushtetit, krahas me lëvrimin e terrenit të palëvruar lokal (me gjasë permes një përafrimi të madh me LDK-në) apo të pretendojë të thirret në historinë e luftës së cilës iu patën bashkuar vetëm 1.84% e miletit.
PDK në anën tjetër gradualisht do të personifikohet tërësisht me figurën e Veselit duke vazhduar të humbë terren në nivel lokal, por duke insistuar që AAK-në e NISMA-në t’i përgjithë sa më shumë që mundet në gjirin e saj. Kështu, gradualisht do të hyjmë në fazën e një mozaiku të tillë politik, ku asnjëra prej partive të mos e kaloj 35%-shin, dhe që nga kontradiksionet e mëdha të dala nga dy nivelet: ai lokal dhe qëndror, të krijohet një klimë e re, më e argjiltë, e flagësht në të kuptimësuarit e pozicionimit politik. Njerëzit do të fillojnë t’i njejtësojnë krahët politik/partitë politike, jo aq nga fakti se matematika do të damkosë mundësinë e ndryshimit vetanak nga cilado parti, por shumë më shumë nga kontradiksioni i lartëcekur. Njerëzit do të pyesin: ku është zori i fjalëve të mëdha në qendër kur në nivel lokal “je me ta?”
Reperkusion i kësaj do të jetë mbase një afirmim më i madh i nivelit lokal në krahasim me qëndrorin, si premtim i tejkalimit të centralizmit të gjithçkaje në Prishtinë (trashëgimi që nga koha jugosllave), dhe një afrim më i madh me qytetarin – më shumë se sa që siguronte decentralizimi. Por kurban i kësaj padyshim do të jetë diskursi fjalaman i idealizmave e thirrjeve kolektive, meqë thënë më së buti do të reflektonte kontradiktë, e thënë më së vrazhdi dyfytyrësi.
Sqarim i redaksisë: Opinioni është shkruar para ditës së zgjedhjeve të balotazhit.