Të famshmit po provojnë gjithnjë e më shumë këtë lloj terapie për shëndetin mendor!
Mund të keni dëgjuar për terapinë EMDR, nga princ Harry, Sandra Bullock, Brie Larson dhe personazhe të tjerë të njohur.
Vitin e kaluar, princ Harry dhe Oprah Winfrey krijuan “The Me You Can’t See”, një dokumentar i Apple TV mbi shëndetin mendor. Në një episod, princi diskuton traumën e vdekjes tragjike të nënës së tij, duke thënë se shpesh ndihet “i pafuqishëm”.
Për të adresuar këto çështje dhe ankthin, Harry iu drejtua EMDR dhe madje filmoi një seancë private me terapistin e tij. Në seancë, ai diskuton ndjenjat dhe përvojat, kryqëzon krahët në gjoks dhe godet secilën shpatull me një ritëm të qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, sytë i ka të mbyllura, por lëvizin majtas-djathtas.
Këto lëvizje quhen stimulim bilateral (BLS) dhe janë shtylla kryesore e terapisë EMDR. Së bashku me ndjekjen e gishtit lëvizës të një terapisti ose dëgjimin e toneve të përsëritura, BLS ka për qëllim të përfshijë sytë, veshët ose trupin e një personi ndërsa ata i përgjigjen stimujve.
Kjo terapi mund t’u ndryshojë jetën miliona njerëzve të diagnostikuar me çrregullimin e stresit post-traumatik, duke ndihmuar në reduktimin e simptomave si zemërimi, frika, mendime të errëta, ankth etj.
Çfarë është terapia EMDR?
EMDR është një lloj terapie e zhvilluar 35 vjet më parë nga psikologia nga Kalifornia, Francine Shapiro, për të trajtuar çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD). Shapiro e nisi këtë praktikë, ndërsa ajo po fliste për traumën e saj të fëmijërisë. Kur filloi të fliste, sytë e saj filluan të lëviznin dhe ajo vazhdoi ta bënte këtë me vetëdije.
Praktikuesit besojnë se kujtimi i një ngjarjeje traumatike gjatë përfshirjes në BLS ndryshon mënyrën se si pacienti përpunon dhe ruan kujtesën. Disa mendojnë se është e lidhur me REM (lëvizjen e shpejtë të syve), gjendjen e thellë të gjumit kur përpunojmë kujtimet dhe përvojat tona.
Marianne Silva, një punonjëse sociale klinike në Qendrën për PTSD e cila ofron terapi EMDR, thotë se trajtimi bazohet në faktin se, kur përpunojmë informacione dhe përvoja të reja, ne lidhim atë që po ndodh në të tashmen me atë që ka ndodhur në të kaluarën.
“Kur, në rrethana normale, ne kemi një përvojë të re, e kuptojmë atë, e përpunojmë atë. Ajo disi ‘tretet’,” thotë ajo. “Por, kur ndodh diçka traumatike, ajo mbizotëron sistemin tonë natyror të përpunimit të informacionit. Kjo ngjarje ngec disi me ndjenjat, mendimet, imazhet.”
Pra, kur diçka ndodh në të tashmen që na kujton atë traumën e kaluar, ajo shkakton ato ndjenja ose mendime negative apo shqetësuese që nuk u përpunuan kurrë plotësisht, thotë ajo.
Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA), kursi standard i trajtimit përfshin dy seanca në javë për tre deri në gjashtë javë dhe një seancë zgjat 60-90 minuta.
Sa efektive është terapia EMDR?
Edhe pse ekziston për dekada, mënyra e saktë se si EMDR ndikon fiziologjikisht në tru, mbetet një mister – të cilin praktikuesit e terapisë do ta pranojnë hapur.
Tashmë ka studime që vërtetojnë se po, EMDR funksionon. Terapistët shpesh thonë “ne e dimë se është efektive, por nuk e dimë plotësisht pse.”