Të dyshuarit për vrasjen e 12 personave në Cetinjë të Malit të Zi, iu gjetën 80 plumba në xhepa

Të dyshuarit për vrasjen e 12 personave në Cetinjë të Malit të Zi, iu gjetën 80 plumba në xhepa

Tetëdhjetë plumba janë gjetur në xhepat e Aco Martinoviqit, të dyshuarit për vrasjen e 12 personave në Cetinjë të Malit të Zi dhe plagosjen e katër të tjerëve, raporton “Vijesti”. 

45-vjeçari më pas vdiq si pasojë e plagëve që ia shkaktoi vetes.  Gjatë kontrollit pos 80 plumbave në xhepa, ai kishte edhe disa fishekë në armën e tij të kalibrit 9 mm, bën të ditur “Vijesti”.

Vrasjet u kryen të mërkurën në disa lokacione, ndërsa në mesin e viktimave janë dy fëmijë të moshave 10 dhe 13 vjeç. Autoritetet thanë se Martinoviq vrau pronarin e një kafeneje, dy fëmijët e pronarit dhe po ashtu më pas vrau anëtarët të familjes së tij.

Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Danillo Sharanoviq, ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i vrasjeve është i panjohur, pasi në mesin e viktimave ishin miq dhe kumbara e Martinoviqit.

Martinoviq ishte dënuar me një vit burgim me kusht në vitin 2005 për sjellje jo të mirë, por nuk është konsideruar si person me interes për sigurinë, ka thënë ministri Sharanoviq.

Gjendja e të plagosurve është thënë se është stabile.

Kryeministri malazez, Millojko Spajiq e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme.

Ai ka paralajmëruar ashpërsimin e kritereve për mbajtjen e armëve.

“Do të shqyrtojmë ndalimin e plotë të mbajtjes së armëve,” ka thënë Spajiq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime dhe ka thënë se Kosova solidarizohet me Malin e Zi në këtë moment  të vështirë.

Qeveria e Malit të Zi i ka shpallur tri ditë zie, më 2,3 dhe 4 janar.

Shpërndaje në: