Tarifat për importet nga Kanadaja, Meksika dhe Kina pritet të hyjnë në fuqi më 1 shkurt
Vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për të vendosur tarifa në nivel 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika dhe 10% për mallrat nga Kina hyn në fuqi të shtunën, tha Shtëpia e Bardhë të premten, por nuk dha asnjë hollësi nëse do ketë ndonjë përjashtim për mallrat, që mund të rezultojnë në rritje të shpejtë të çmimeve për konsumatorët amerikanë.
Presidenti republikan ka bërë kërcënime për vendosje të tarifave në përpjekej për të siguruar një bashkëpunim më të madh nga vendet e tjera për të ndalur emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e drogës, por ai gjithashtu është zotuar të përdorë tarifat për të nxitur prodhimin vendas.
“Duke filluar nga nesër, ato tarifa do të jenë në fuqi”, u tha gazetarëve Zëdhënësia e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt. “Këto janë premtime të bëra dhe premtime të mbajtura nga presidenti”.
Zoti Trump kishte thënë se po shqyrtonte mundësinë e përjashtimit të importeve të naftës kanadeze dhe meksikane nga tarifat, por zëdhënësja Leavitt tha se nuk kishte informacion për ndonjë ndryshim të mundshëm të qëndrimit mbi këtë çështje nga Presidenti.
Shtetet e Bashkuara importuan pothuajse 4.6 milionë fuçi naftë në ditë nga Kanadaja në tetor dhe 563,000 fuçi nga Meksika, sipas të dhënave të Departamentit të Energjisë. Prodhimi ditor i Shteteve të Bashkuara gjatë atij muaji ishte mesatarisht rreth 13.5 milionë fuçi në ditë.
Ai ka deklaruar më parë se një tarifë prej 10% për importet kineze do të shtohej mbi tarifën ekzistuese ndaj importeve nga Kina.
Menjëherë pasi komenteve të zëdhënëses Leavitt, indeksi i aksioneve “S&P 500” shënoi rënie, duke fshirë fitimet e ditës së premte.
“Ne mund të presim veprime hakmarrëse nga tre vendet”, tha Wendy Cutler, ish-negociatore e Shteteve të Bashkuara për çështjet tregtare. Kina iu përgjigj në mënyrë agresive tarifave të vendosura nga Presidenti Trump mbi mallrat kineze gjatë mandatit të tij të parë, duke vënë në shënjestër mbështetësit e presidentit në zonat rurale të Amerikës me tarifa hakmarrëse mbi eksportet e fermave amerikane.
Kanadaja dhe Meksika kanë thënë se kanë përgatitur plane për tarifa hakmarrëse, që do të përdoren nëse është e nevojshme. Këto veprime mund të shkaktojnë një konflikt më të gjerë tregtar, që sipas ekonomistëve mund të dëmtojë rritjen ekonomike dhe mund të shkaktojë rritje të mëtejshme të inflacionit./VOA