Tarifat ndaj Kinës, kompania Apple do të investojë 500 miliardë dollarë në SHBA

Tarifat ndaj Kinës, kompania Apple do të investojë 500 miliardë dollarë në SHBA

Gjigandi i teknologjisë, Apple njoftoi planet për investime në ekonominë amerikane që kapin shifrën e 500 miliardë dollarëve gjatë katër viteve të ardhshme.

Investimi sugjeron mbështetjen e kompanisë për politikat e qeverisë amerikane për punësimin dhe investimet në vend.

Presidenti Donald Trump ka thënë se do të dyfishojë tarifat e importeve nga Kina, vend ku prodhohen shumica e produkteve të kompanisë Apple.

Kompania Apple prodhon në Kinë shumicën e modeleve të Iphone-it dhe produkteve të tjera. Por gjatë viteve të fundit, kompania Apple i ka zgjeruar operacionet në vende si India dhe Vietnami. Por jo aq shumë në Shtetet e Bashkuara.

Gjigandi Apple njoftoi se gjatë katër viteve të ardhshme do të investojë 500 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara. Planet përfshijnë ndërtimin e një qendre për prodhimin e pajisjeve për inteligjencën artificiale dhe angazhimin për krijimin e 20,000 vendeve pune.

Njoftimi vjen pas takimit të shefit të kompanisë Apple, Tim Cook me Presidentin Donald Trump. Apple është mes firmave amerikane që kanë njoftuar kohët e fundit investime në vend dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Në një postim në mediat sociale, Presidenti Trump njoftoi se dyfishimi i tarifës universale prej 10% për Kinën, do të futet në fuqi të martën.

Shpërndaje në: