Tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës do të hyjnë në fuqi të martën

“Tarifat amerikane ndaj Kanadasë dhe Meksikës do të hyjnë në fuqi të martën, por niveli i tyre do të vendoset nga presidenti Donald Trump”, kështu ka deklaruar Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick.
Trump ka kërcënuar me vendosjen e një tarife prej 25% mbi importet nga dy fqinjët e SHBA-së. Lutnick konfirmoi të dielën se tarifat do të zbatohen siç është planifikuar, por detajet e sakta do të varen nga negociatat.
Ndërkohë, një tarifë prej 10% për importet kineze pritet gjithashtu të hyjë në fuqi, si pjesë e masave kundër asaj që SHBA e konsideron mungesë veprimi nga Pekini për të ndaluar rrjedhën e fentanilit drejt Amerikës. Nëse këto masa zbatohen, tarifat mbi eksportet kineze në SHBA do të arrijnë në 20%, duke përfshirë një tarifë ekzistuese prej 10% të vendosur një muaj më parë.
Media shtetërore kineze ka raportuar se Pekini ka përgatitur një seri kundërmasash, duke rritur rrezikun e një lufte tregtare të gjerë mes dy superfuqive ekonomike. Sipas gazetës shtetërore Global Times, masat hakmarrëse mund të synojnë produktet bujqësore dhe ushqimore amerikane.
Analistët vlerësojnë se Kina ende synon të shmangë një luftë tregtare të plotë dhe të negociojë një armëpushim me administratën Trump, por deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë të një marrëveshjeje mes dy vendeve. Trump ka deklaruar vazhdimisht se tarifat janë një mjet efektiv për të korrigjuar pabarazitë tregtare dhe për të mbrojtur prodhimin në SHBA.
Kanadaja ka kundërshtuar ashpër tarifat, duke theksuar se ato do të dëmtojnë të dyja ekonomitë. Ministrja kanadeze e Tregtisë së Brendshme, Anita Anand, ka zhvilluar takime me zyrtarë në Uashington dhe ka paralajmëruar një përgjigje të ashpër.
“Ne jemi të përgatitur për çdo eventualitet, por do të mbrojmë ekonominë tonë në çdo hap,” deklaroi Anand për CBC Neës.
Muajin e kaluar, Kanadaja përgatiti një listë me mallra amerikane me vlerë 30 miliardë dollarë, të cilat mund të goditen me tarifa hakmarrëse. Në këtë listë përfshihen produkte të përditshme si makaronat, veshje dhe parfume.
Përveç masave ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, Trump ka njoftuar gjithashtu një tarifë prej 25% për importet e çelikut dhe aluminit, që do të hyjë në fuqi më 12 mars. Gjithashtu, ai ka kërcënuar me tarifa doganore “reciproke” për vendet individuale dhe një tarifë prej 25% për Bashkimin Evropian.