Takimi me Kurtin, Erdogan: E mirëseardhur zbutja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arrihet progres konkret
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se rritja e vëllimit të tregtisë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës duhet të shkojë nga 750 milionë dollaorë në mbi një miliard dollarë, transmetojnë mediat turke.
Sipas njoftimit të zyrës për media të presdencës turke në takim janë trajtuar marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, lufta në Palestinë si dhe çështjet rajonale dhe globale.
Erdogan duke folur për raportet tregtare ka thënë se dy vendet kanë potencial për të zhvilluar marrëdhëniet në shumë fusha, përfshirë në industrinë e mbrojtjes. Ai ka folur edhe për raportet Kosovë -Serbi duke konstatuar se ka zbutje.
“Është i mirëseardhur fillimi i zbutjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por se është e rëndësishme që të sigurohet progres konkret lidhur me këtë çështje” thuhet në komunikatë.
Po ashtu Erdogan në takimin me Kurtin ka potencuar edhe “mbështetjen aktive që duhet t’i jepet Palestinës”.