Takimi Bislimi-Petkoviq, analistët: Sa për të bërë fotografi, palët s’janë të interesuara për të ecur përpara

Takimi Bislimi-Petkoviq, analistët: Sa për të bërë fotografi, palët s’janë të interesuara për të ecur përpara

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, gjenden sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Por sipas këndveshtrimit të analistëve politik nga ky takim, nuk presin ndonjë ndryshim të madh ku shihet se të dyja palët nuk kanë interesim te madh mbi dalogun
Analisti politik, Visar Ymeri i pyetur mbi takimin e sotëm në Bruksel, për Periskopin tha se asnjëra palë nuk është e interesuar për të ecur përpara.

“Është vështirë të parashikohen pritjet për shkak të mungesës së transparencës për sa i përket zhvillimeve në dialog, p.sh as nuk e dijmë saktë se për çka do të flitet, as nuk e dijmë saktë se për çka jemi dakorduar e ku janë mospajtimet, e as nuk e dijmë se cilat janë qëllimet e palëve (përveç kërkesave kryesore në vija të trasha). Një gjë që shihet qartë është se asnjëra prej palëve dialoguese nuk kanë fare interesim që të ecin para në zbatimin e marrëveshjes së arritur. Në rrethana të tilla është vështirë të pritet ndonjë progres”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Ymeri shtoi edhe mbi deklarimin e Konjufcës javë më parë i cili tha se dialogu ka vdekur.

Sipas Ymerit ‘vdekja’ e dialogut nuk është në favor të vendit, dhe sipas tij deklarimet e tilla e dëmtojnë Kosovën.

“Dialogu nuk ka vdekur, e as nuk mund të shpallet i vdekur nga njëra prej palëve më kaq lehtësi. Madje as nuk është në interes të Kosovës që dialogu të vdes meqë Kosova duhet ta shfrytëzojë dialogun për ta avansuar njohjen dhe afirmimin ndërkombëtar të sovranitetit të vet. Mendoj që deklaratat e tilla sikur kjo e Kryetarit të Kuvendit kanë për qëllim krijimin e një përshtypje tjetër prej asaj të vërtetës dhe janë deklarime që i dedikohen elektoratit. Mirëpo kur thuhen nga pozita kaq të rëndësishme institucionale këto deklarime bëhen të dëmshme për Kosovën’, ka thënë ai për Periskopin.

Ymeri përmendi edhe shtatë kërkesat e Vuçiqit ndaj Kosovës.

Ai tha se Presidenti i Serbisë është dorëzuar, por që kjo taktikë e tij, sipas Ymerit e qet Kosovën në një pozitë edhe më të vështirë.

“Një gjë që është e vërejtshme është që Presidenti i Serbisë ka hequr dorë nga bojkoti i gjatë i institucioneve të Kosovës. Në njëfarë mënyre është dorëzuar. Mirëpo ky nuk është leximi i vetëm i kësaj situate. Kjo lëvizje taktike e Vuçiqit e qet Kosovën tash në një pozitë edhe më të vështirë. Sepse ka me qenë jashtëzakonisht problematike nëse Kurti tash e zvarritë kthimin e serbëve nëpër institucione në komunat veriore. Presioni rrezikon prapë të bie përmbi Kosovën”, u shpreh Ymeri për Periskopin.

Njëjtë si Ymeri mendon edhe analisti, Arbnor Sadiku, i cili nuk pret diçka pozitive nga takimi i sotëm në Bruksel.

“Nuk pres diçka të lëviz pozitivisht por më tepër do vazhdojë status quo dhe do të jetë takim më tepër për fotografi”, u shpreh Sadiku për Periskopin.

Ndryshe, Bislimi dhe Petkoviq për herë të fundit në Bruksel janë takuar në fillim të korrikut, duke u kthyer nga atje pa ndonjë rezultat.

Këto udhëtime të kryenegociatorëve po e pasonin një rund të ri të dialogut në nivelin më të lartë në fund të qershorit, që përfundoi pa takim ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell nuk mundi t’i ulte ata përballë njëri-tjetrit. Në takimet e ndara me të dy liderët kishte folur për atë që është arritur në dialog. Kryeministri i Kosovës, i cili u tha se e kishte kushtëzuar takimin trepalësh, ishte shfaqur i kënaqur pas takimeve me ndërmjetësit. Presidenti serb, në anën tjetër, kishte dalur gjithashtu i kënaqur nga takimet që i quante të suksesshme./Periskopi

Shpërndaje në: