Tahiri: Pse nuk e pyeti Kurti, BE-në se pse nuk u ndëshkua Serbia për sulmin në Banjskë?
Ish kryenegociatorja, Edita Tahiri ka reaguar pas deklarimit nga Bashkimi Evropian për masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka pyetur se pse Kurti si kryeministër nuk e ka pyetur asnjëherë BE-në se pse Serbia nuk u ndëshkua për sulmin e 24 shtatorit.
“BE-ja ende jo e gatshme t’ia heq sanksionet Kosoves (jane duke e diskutuar po thote Borrelli) – pse mungoi nje leter zyrtare nga Kryeministri Kurti qe ta pyes BE-ne pse Serbia nuk u ndeshkua per sulmin ne Banjske?”, ka shkruar Tahiri.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të këtyre masave po vazhdojnë.
“Raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së, i shprehur në Deklaratën e 3 Qershorit 2023 (Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së) iu dërgua shteteve anëtare dhe diskutimi i parë u zhvillua në qershor.
Këshilli e kishte ftuar Përfaqësuesin e Lartë që të përgatiste një raport të tillë në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023. Raporti është një dokument konfidencial dhe nuk do të bëhet publik.
Përfaqësuesi i Lartë rekomandon heqjen e masave për Kosovën, siç theksoi ai në konferencën për shtyp më 24 qershor 2024. Diskutimet në Këshill vazhdojnë”, ka deklaruar Stano.