Tahiri porositë qeverinë: Kthehuni në realitet, mos mashtroni, punoni najsend!
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka ngritur disa pyetje publike për Qeverinë e Kosovës e që kanë të bëjnë direkt me interesin e qytetarëve.
Tahiri ka thënë se tani është mirë t’i kthehemi jetës në Kosovë, t’u kthehemi problemeve të cilat janë bërë të papërballueshme.
“I madh e i vogël në këtë vend është duke u marr me tema të sigurisë e tema të nivelit të lartë, pa pasur kurfarë dije e as njohurie për to. Tani, është mirë t’i kthehemi jetës në Kosovë, t’u kthehemi problemeve të cilat janë bërë të papërballueshme për funksionimin normal të mirëqenies së një familje”, ka thënë Tahiri:
Reagimi i plotë:
I madh e i vogël në këtë vend është duke u marr me tema të sigurisë e tema të nivelit të lartë, pa pasur kurfarë dije e as njohurie për to. Tani, është mirë t’i kthehemi jetës në Kosovë, t’u kthehemi problemeve të cilat janë bërë të papërballueshme për funksionimin normal të mirëqenies së një familje.
Janë 5 pyetje që kërkojnë përgjigje të shpejtë:
1. Një javë para fillimit të vitit shkollor, kur do të dalin paratë për libra dhe a është gjithçka gati për vitin e ri shkollor? Asnjë përgjigje dhe qetësi nga MAShTI.
2. A do të përfundojnë para dimrit këto rrugë? A do të hyjmë në vitin 2025 me katrahurën e rrugëve që i lidhin Gjakovën, Gjilanin, Mitrovicën e Podujevën me kryeqytetin? Dhe, a do t’i rimbursoni mbi 2500 biznese të cilat janë para bankrotimit?
3. Kur do t’i rrisni pensionet? A po pritni për ta bërë këtë para fushatës zgjedhore? A e dini që Interlokutori i Kurtit në dialog, Vuçiq, ka njoftuar se nga 1 dhjetori 2024 do të rriten pensionet në Serbi. Ky i yni, jo vetëm që përmes dialogut nuk i ka kthyer mjetet e vjedhura nga Serbia, siç kishte premtuar gjatë kohës në opozitë, por i ka lënë pensionet në nivel të asistencës sociale, që nuk u ofron të moshuarve as mjete të mjaftueshme për trajtim shëndetësor!
4. A do të hiqni dorë nga kapja e institucioneve të pavarura dhe a do të ndaleni me sulmet e juaja, e më së keqi me kthyer RTK-në në organ partiak? Cili është kriteri për përzgjedhjen e tre anëtarëve tjerë të Bordit.
5. Kur do të kalojë Ligji për Sigurimet Shëndetësore? E di që për pagat në sektorin publik as që e keni në plan, as nuk do ta bëni kur ta sillni buxhetin e vitit 2025.
Përgjigjuni në këto pyetje e mos u mundoni të merreni me tema të mëdha, se sot për sot këto çështje janë interes qytetar e shtetëror.
Kthehuni në realitet, mos mashtroni, punoni najsend!