Tahiri, Kusari-Lilës: Mos shit moral, populli e di të vërtetën

Tahiri, Kusari-Lilës: Mos shit moral, populli e di të vërtetën

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në fjalën e tij në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila të “mos shit moral”, meqë “populli e di të vërtetën”

Një deklaratë e tillë e Tahirit artikullohet një ditë pas publikimit të një audio-incizimi ku ajo dëgjohet duke biseduar me kryeterroristin Milan Radojiçiç, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjë dhe të sanksionuarin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk duhet në asnjë moment me vendos argument i cili nuk qëndron për shkak se mashtrimi dhe rrena luftohet vetëm me të vërtetën e të vërtetën e din ky popull, kush është Ramush Haradinaj, cili është kontributi i tij në luftë e liri”, tha ai.

Ajo çfarë po kërkon opozita në Kuvend, sipas Tahirit, “është ballafaqim dhe transparencë llogaridhënie për një pazar dhe një kushtëzim”.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që seanca e sotme e Kuvendit t’i kushtohet përgjimit në të cilin është përfshirë Kusari-Lila dhe Milan Radojiçiç.

PDK ka kërkuar që debati për çështjen e përgjimit të vendoset në rend dite pa procedura, diçka të cilën e ka konsideruar të pamundur kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në këtë audio-incizim, Kusari e Radojiçiç flasin për Ligjin për Pagën Minimale dhe zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.

Më 14 qershor, pasi ishte votuar Ligji për Pagën minimale, edhe me votat e Listës Serbe, që atë ditë ishte në sallën e Kuvendit, Kusari-Lila kishte akuzuar PDK-në se kishte dërguar Listën Serbe për votim.

Shpërndaje në: