Tahiri: Kurti me veprimin e tij tejkaloi organin e akuzës, ndonëse pushtetet janë të ndara
Shefi i deputetëve të PDK, Abelard Tahiri, ka thënë se është mesazh i keq për qytetarët se si e tejkalon kryeministri i vendit organin e akuzës.
“Seancat e mbajtura më 5 dhjetor kanë qenë seanca që na u pamundësua pjesëmarrja e opozitës. Këtë vërejtje ia shpreha edhe kryetarit dhe mazhorancës. Nuk ka qenë bojkotim i opozitës dhe jemi ftuar dy minuta me vonesë. Në rast se një praktike e tillë legjitimohet nga Kushtetuesja, do të jetë e dëmshme për demokracinë. Siç e dini ne i kemi dërguar 19 projektligje dhe presim që të merret vendimi në favor tonin”, tha Tahiri.
Tahiri ka thënë se është mesazh i keq ajo se çfarë u pa sot, veprimi i Kurtit.
“Në radhë të parë është mesazh i keq për qytetarët se si e tejkalon kryeministri organin e akuzës dhe siç e dini që më bazë të Kushtetutës, pushtetet janë të ndara. Organi i akuzës është ai që ndalon keqpërdorimet dhe korrupsionin dhe me këtë rast organi i akuzës ka diçka për të sqaruar. Mendoj që është mesazh i keq ajo se çfarë u pa sot”, tha ai.
Tahiri kritikoi qeverinë aktuale, duke e cilësuar si të papjekur dhe të dëmshme për agjendën e Kosovës në raport me SHBA-të.
Ai shtoi se mosmarrëveshjet e vazhdueshme dhe qëndrimet e qeverisë aktuale kanë sjellë pasoja të rënda për marrëdhëniet Kosovë-SHBA dhe kanë kontribuar në vazhdimin e sanksioneve ndaj Kosovës.
“Unë besoj që Kosova do të ketë një qeveri të re një kryeministër të ri siç është Bedri Hamza, i cili ka dyert e hapura edhe në Shtëpinë e Bardhe edhe në Departamentin e Shtetit. Këta që tash po shkojnë, kanë qenë të papjekur e kanë dëmtuar agjendën shumë në raport me SHBA-të.
Papjekuria e tyre apo tendenca e qëllimshme me i dëmtu këto relacione i kanë sjellë një dëm të madh Kosovës. Më këta njerëz relacionet nuk mund të ndryshojnë me SHBA-në, me këta njerëz sanksionet do të vazhdojnë”, ka thënë Tahiri.
Kurti si Chuck Norrisi: Nuk shkon në Prokurori, e fton Prokurorinë në zyren e tij