Tahir Batatina dënohet me dy ndeshje dhe 500 euro
Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i shkallës së parë, duke u mbështetur në në nenin 63, paragrafi 1, dhe paragrafi 4, të Statutit të FFK-së, si dhe nenit 8, paragrafi 2, pika c) dhe pika e), nenit 10, paragrafi 1 dhe 4, neni 11, paragrafi 1, neni 40, paragrafi 1, pika c) dhe d), nenit 91, dhe 92, pika b) të Rregullores Disiplinore të FFK-së, nenit 51, paragrafi 1, nenit 52, paragrafi 2, pika c) dhe pika e) dhe nenit 53 të Propozicioneve të Garave 2023/2024, në mbledhjen e mbajtur me datë 11 shtator shqyrtoi procedurën e hapur disiplinore ndaj trajnerit të Llapit, Tahir Batatina, për sjelljet josportive pas përfundimit të ndeshjes Prishtina – Llapi, në kuadër të xhiros së 4-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, e zhvilluar me datë 31.08.2024 në ora 19:00.
“Kryetrajnerit të KF “Llapi“ nga Podujeva, z. Tahir Batatina me numër të ID-së 01144M77, i shqiptohet masa disiplinore. “Dënim me mos ushtrim të detyrës zyrtare për 2 (dy) ndeshje sipas radhës organizuar nga FFK”, thuhet fillimisht në njoftimin e tyre.
“Kryetrajnerit të KF “Llapi” nga Podujeva, z. Tahir Batatina me numër të ID-së 01144M77 i shqiptohet “Dënimi me gjobë prej 500.00 € (pesëqind euro)”, i cili duhet të paguhet në afat prej tetë (8) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi”.
Komisioni Disiplinor dhe i Etikës ka dhënë edhe arsyetimin e këtij vendimi.
“Me datë 31.08.2024 me fillim nga ora 19:00 është zhvilluar ndeshja e xhiro-së së 4-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në mes të FC “Prishtina” dhe KF “Llapi” nga Podujeva. Pas përfundimit të kësaj ndeshje, z. Tahir Batatina, kryetrajner i KF “Llapi” nga Podujeva, është vërsulur disa herë në drejtimin të gjyqtarit kryesor dhe të kolegëve të tij në mesin e fushës, duke përdorur gjuhë vulgare ofenduese dhe kërcënuese, pastaj duke shkuar në drejtim të bankinës bie në provokimin e shikuesve të cilëve ju tregon gishtin e mesit të dorës, i fyen shikuesit e pranishëm duke provokuar një eskalim të mundshëm të masës. Për këto sjellje jo sportive dhe vulgare ndëshkohet me karton të kuq direkt. I njëjti pas ndëshkimit ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor por falë intervenimit të policisë është evituar sulmi. Po ashtu edhe në tunelin e stadiumit dukshëm i frustruar ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin por sërish është penguar nga policia. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Genc Nuza dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Prishtina – Llapi”, bëhet e ditur më tej.
“Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i FFK-së si organ i shkallës së parë ka vendosur që ndaj z. Batatina të ndërmarrë masa disiplinore sikurse në dispozitiv të këtij vendimi pasi sjelljet e tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me aktet normative të FFK-së, dhe si të tilla duhen ndëshkuar”.
“Në nenin 40, paragrafi 1, të Rregullorës Disiplinore të FFK-së parashihet se “Kush sillet në mënyrë josportive ndaj lojtarit të ekipit të vetë apo të ekipit kundërshtar, ndaj referëve, funksionarit, udhheqësve të organizatave sportive dhe shikuesëve, gjatë zhvillimit të lojës, pas përfundimit të lojës në teren dhe jashtë tij, por në lidhje me lojën e futbollit do të dënohet: ”Në të njëjtin paragraf parashihen llojet e dënimeve që mund të shqiptohen në rast të sjelljeve josportive, dhe në rastin konkret, Komisioni Disiplinor dhe i Etikës ndaj z. Batatina shqipton masat e përcaktuara në pikën c) dhe d) të po të njëjtit nen”.
“Sjellja e z. Tahir Batatina është e papërshtatshme dhe jo sportive, kjo mund të shkaktojë dëme për imazhin dhe integritetin e sportit në përgjithësi. Ky vendim është i nevojshëm për të mbrojtur integritetin dhe imazhin e sportit dhe për të zbatuar rregullat dhe normat e përgjithshme të sjelljes sportive konform akteve normative të FFK-së. Andaj bazuar në këto gjendje faktike të lartcekura, Komisioni Disiplinor dhe i Etikës vendosi sikurse në dispozitiv të këtij vendimi”.
Komisioni ka lënë edhe mundësinë për ankesë.
“Pala e pakënaqur në këto vendime ka të drejtë në ushtrimin e ankesës drejtuar Komisionit Disiplinor të shkallës së dytë – Komisionit për Ankesa në afatin kohor prej; 8 (tetë) ditësh nga data e sjelljes së këtij vendimi; datë 11.09.2024, respektivisht publikimit në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit”, përfundon njoftimi i FFK-së.