Tag: posti

Shpend Maxhuni është emëruar kundërligjshëm në krye të Policisë
Me riemërimin e Shpend Maxhunit si drejtor i Policisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme e ka shkelur Ligjin Për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.
Kështu deklaron deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, sipas të cilit, procesi i verifikimit është ndalur për arsye se ky test ka prekur të emëruarit politikë në Policinë e Kosovës. Dështimin e disa prej drejtorëve në testin e AKI-së, e ka konfirmuar edhe deputeti tjetër opozitar Haxhi Shala, raporton KTV
Gjatë kohës kur Bajram Rexhepi ishte ministër i Punëve të Brendshme, me kërkesë të tij, Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte filluar procesin e verifikimit të zyrtarëve policorë.
Këtij testi i ishin nënshtruar krerët më të lartë të këtij institucioni.
Por disa prej drejtorëve kishin dalë negativ në këtë test, përfshirë këtu edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Dështimi i krerëve të Policisë të kalojnë këtë test, sipas deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka bërë që ky proces të pezullohet tërësisht.
Selimi ka thënë se ky test ka përfshirë krerët e Policisë së Kosovës, të cilët janë të lidhur me pushtetin.
Deputeti Selimi e cilëson si shkelje emërimin dhe riemërimin e Shpend Maxhunit si drejtor të Policisë.
Dështimin e disa prej drejtorëve në testin e AKI-së e ka konfirmuar edhe kryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e këtij institucioni.
Ndërkaq, në Ligjin Për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, neni 27 pika 7, thuhet qartë se “mosmarrja e lejes së sigurisë rezulton me transferimin e personit zyrtar në një pozitë tjetër të barasvlershme, për të cilën nuk nevojitet verifikimi i sigurisë. Nëse kjo nuk është e mundur atëherë mosmarrja e lejes së sigurisë rezulton në largim nga puna apo me përfundim të kontratës mbi vepër ose shërbime në raport me autoritetin publik nëse posedimi i lejes së vlefshme të sigurisë është kërkesë e domosdoshme për punësimin apo shërbimin përkatës”.
AKI-ja, përmes një përgjigjeje elektronike, ka sqaruar se procesi i verifikimit të zyrtarëve shtetërorë, të cilët kanë qasje në informacion të klasifikuar, sipas ligjeve relevante të Republikës së Kosovës, nis me vet kërkesën e institucioneve përkatëse, ku shërbejnë zyrtarët në fjalë.
Ndërsa nuk kanë dhënë përgjigje nëse Shpend Maxhuni ka kaluar këtë test.
“Lidhur me interesimin tuaj, me keqardhje ju njoftojmë se procesi i verifikimit është i klasifikuar dhe rrjedhimisht nuk mund ta komentojmë”.
MPB-ja dhe Policia e Kosovës kanë hedhur topin te njëra-tjetra dhe nuk kanë dhënë detaje nëse e kanë kërkuar testin dhe çfarë ka ndodhur me zyrtarët policorë, të cilët nuk e kanë kaluar atë.