Sylejman Selimi: I kam respektuar urdhrat dhe organogramin e ardhur prej Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së
![Sylejman Selimi: I kam respektuar urdhrat dhe organogramin e ardhur prej Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/sylejmani-523x300.png)
Sylejman Selimi deklaroi të hënën në Hagë se si komandant i Zonës Operative (ZO) të Drenicës, i ka respektuar urdhrat dhe organogramin e ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Besoj që po, me përgjegjësi rreth organizimit të ZO të Drenicës, unë i kam respektu urdhrat edhe organigramin që kanë ardhur prej Shtabit të Përgjithshëm”, tha Selimi.
Përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua kur u pyet se a ka ndodhur që të lëshohen urdhra nga persona të tjerë në emrin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, ai tha se nuk i kujtohet të ketë ndodhur ndonjë rast që ta ndryshojë ose të anulojë ndonjë urdhër që ka dalë në emrin e tij. Veç kësaj, dëshmitari u pyet se a i është bindur të gjithë urdhrave që i kanë ardhur.
“Varet, ka mundësi që nuk iu kam bindur. Varet në çfarë konteksti apo çfarë rrethane ka qenë”, tha Sylejman Selimi.
Në anën tjetër, ai u pyet se si komandant i Zonës Operative të Drenicës a ishte e mundur që të lëshonte urdhra për Shtabin e përgjithshëm.
“Jo në këtë nivel, është e pamundur që të lëshoj ndonjë urdhër ndaj Shtabit të Përgjithshëm”, tha ai.
Për Hysni Thaçin dëshmitari tha se ka qenë ushtar i thjeshtë dhe ka qenë si truprojë (shoqërues) i Hashim Thaçit.
Ndërsa, për Ajaz Berishën dhe Ferat Shalën, ai tha se kanë qenë pjesë e Zonës së Drenicës dhe pastaj kanë kaluar në Shtabin e Përgjithshëm.
“Sa më kujtohet mua, ata kanë qenë në njësitin Pëllumbi. Përgjegjës i njësitit “Pëllumbi” ka qenë Ferat Shala”, tha dëshmitari.
Selimi tha se nuk e di saktë se kur u larguan këta dy persona nga zona e Drenicës për të kaluar në Shtabin e Përgjithshëm.
“Diku kah fundi i ’98-ës po ose përpara. Nuk jam i saktë. Nuk e di. Mundet me qenë edhe më herët”, tha Selimi.
Ndërsa, sipas shënimit përgatitor, prokurori Matt Halling tha se dëshmitari ka thënë që këta dy persona shkuan në Shtabin e Përgjithshëm në mesin e prillit të 1998-ës.
Për këtë, Sylejman Selimi tha se mund të jetë e saktë edhe kjo që është thënë.