Sylejman Selimi: Deri në pranverë të ‘98-ës s’kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të UÇK-së
![Sylejman Selimi: Deri në pranverë të ‘98-ës s’kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të UÇK-së](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/image-86-750x430-1-523x300.png)
Dëshmitari Sylejman Selimi pohoi se deri në pranverë të vitit 1998 nuk kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këtë pohim, dëshmitari e bëri gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mishetiq fillimisht e pyeti dëshmitarin se çfarë ishte Grupi i Prekazit, ku ishte i përfshirë edhe vetë Sylejman Selimi.
Ai tha se ky grup kryesohej nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe disa shokë të tjerë.
“Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Fadil Kodra, Nuredin Lushtaku, Zenun Kodra”, tha Selimi, kur u pyet se kush tjetër përveç tij bënte pjesë në këtë grup.
Dëshmitari u pyet gjithashtu se a është e vërtetë që ka thënë se më ’97-ën ka dëgjuar për një Shtab të Përgjithshëm.
“Gjithmonë kam dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, por nuk i kam njohur dhe nuk e di se ku e kanë pasur selinë”, u përgjigj dëshmitari Sylejman Selimi.
Selimi tha se publikisht si pjesëtar i UÇK-së ka dalë më 30 janar të 1997-ës, ndërsa kyçja e tij në këtë strukturë ka qenë më herët.
Dëshmitari u përgjigj me “e saktë” kur u pyet se a është e vertetë që nga ’97-ta deri në mars të ’98-ës ka pasur vetëm një autoritet mbi të, e që ai ka qenë Adem Jashari.
“Adem Jashari ka qenë gjithmonë prijësi dhe komandanti kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Sylejman Selimi.
Përgjigja e tij nuk u dëgjua kur u pyet se a ka pasur ndonjë njohuri për ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë të dëshmitarit me ndonjërin prej personave në Shtabin e Përgjithshëm.
“Ka mundësi që jam taku me disa persona por nuk e kam ditë asnjëherë se çfarë pozicioni kanë edhe nuk e kam ditë. Më vonë e kam ditë që kanë qenë pjesëtarë ose anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm”, u përgjigj Selimi kur u pyet për kontaktet e tij me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas Mishetiq, në një deklaratë dëshmitari kishte thënë se në këtë kohë nuk kishte ndonjë strukturë të mirëfilltë të UÇK-së dhe as nuk kishte zona e as grupe.
Dëshmitari pohoi se kjo është një përshkrim i saktë i UÇK-së deri në fillim të ’98-ës.
Veç kësaj, ai pohoi se është e saktë të thuhet që ai së bashku me 10-15 ushtarë ishin vendosur nga Adem Jashari që ta mbronin një fshat të vetëm të Drenicës, e që ishte Açareva, konkretisht vendlindja e dëshmitarit.
Pas kësaj, Mishetiq tha se dëshmitari ka deklaruar se deri në pranverë të ’98-ës nuk kishte nivele komanduese në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave.
“E saktë është”, tha dëshmitari.
Selimi pohoi se si zonë fshatarët janë mobilizuar që të mbrojnë fshatrat, duke u formuar në grupe të ndryshme dhe se vetë e kanë zgjedhur komandantin e zonës.
“Në Zonën e Drenicës ka pas edhe disa grupe apo shokë të tjerë që kanë pasur edhe ata disa ushtarë të vet dhe i gjithë këtyre grupeve dhe individëve është ardhë deri tek një propozim për komandant Drenice. Në atë kohë janë quajtë pika ose edhe me shifra të ndryshme si Shkoza, ku kam qenë unë e kështu me radhë. Është e saktë”, tha dëshmitari.
Ndryshe, Mishetiq njoftoi se sa i takon kohës, pyetjet e tij do të përfundojnë më shpejtë se sa që e kishte planifikuar.