Superliga vazhdon sot me dy sfida interesante
Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë sot me dy duele mjaft interesante në kuadër të javës së 19-të në elitë.
Malisheva do ta presë kampionen në fuqi Prishtinën. Malishevasit synojnë fitore për t’i ikur sa më shumë zonës së rrezikshme për rënie nga liga.
Në anën tjetër, Prishtina kërkon fitore për t’u ngritur sa më lart dhe të luftojë për tri vendet e para që dërgojnë në garat evropiane.
Ndeshja tjetër mjaft interesante është edhe ajo mes Llapit dhe Ulpianës. Llapjanët do të luajnë ndeshjen e parë në stadiumin e rinovuar “Zahir Pajaziti” dhe do ta presë skuadrën nga Lipjani.
Llapi gjendet në vendin e katërt në tabelë me 29 pikë, shtatë më pak se Gjilani e Ballkani dhe tetë më pak se Drita.
Në anën tjetër, Ulpiana gjendet në vendin e parafundit me 18 pikë, kurse me fitore eventuale do të largohej nga zona e rrezikshme.
Ndeshja Malisheva-Prishtina nis nga ora 13:00, kurse sfida Llapi-Ulpiana starton gjysmë ore më vonë.