Superliga sjell sot derbin Ballkani – Drita, përballje interesante edhe në Gjilan
Java e 30-të në Superligën e Kosovës do të hapet sot, me tri ndeshje në program për t’u zhvilluar.
Derbi i kësaj jave do të zhvillohet ditën e sotme në Suharekë, aty ku kampioni në fuqi dhe lideri i tabelës, Ballkani, e pret Dritën, shkruan Gazeta Express.
Duke marrë parasysh se të dy skuadrat po luftojnë për titullin e kampionit, ndeshja e sotme pritet të jetë mjaft interesante.
Ballkani prin në tabelë me 59 pikë dhe hyn në këtë ndeshje pas dy fitoreve rresht në kampionat, ashtu si edhe Drita. Gjilanasit kanë dy pikë më pak dhe janë në pozitën e dytë.
Përballje interesante pritet të jetë edhe ajo mes Gjilanit dhe Feronikelit ’74, me të dy këto skuadra që synojnë t’i ikin pozitës së barazhit, rrjedhimisht ta sigurojnë automatikisht mbijetesën në elitë.
Momentalisht në këtë pozitë (8) është “Nikli” me 30 pikë të grumbulluara, tri më pak se gjilanasit, që janë në pozitën e shtatë.
“Të Kuqtë” po kalojnë formë më të mirë dhe hyjnë në këtë ndeshje pas dy fitoreve, derisa skuadra nga Drenasi ka regjistruar një barazim e një humbje në dy ndeshjet paraprake.
Ndeshja tjetër për ditën e sotme do të zhvillohet në stadiumin “Përparim Thaçi”, mes Lirisë dhe Dukagjinit.
Prizrenasit thuajse janë përshëndetur nga Superliga, duke u renditur të fundit në tabelë me vetëm 10 pikë të grumbulluara dhe me një bilanc prej 21 humbjeve, shtatë barazimeve dhe vetëm një fitoreje.
Në anën tjetër, Dukagjini synon t’i kthehet fitores përmes këtij takimi pas tri barazimeve rresht.
Skuadra nga Klina ka 37 pikë dhe renditet e gjashta në tabelë.
Të gjitha ndeshjet janë të parapara që të nisin në ora 15:00.