Superliga shpërthen në minutat e fundit: Këto janë rezultatet nga ndeshjet Prishtina-Gjilani dhe Ulpiana-Drenica
Superliga e Kosovës vërtetë ka qenë jashtëzakonisht larg spektaklit dhe ndeshjeve interesante këtë sezon.
Ndeshje të mërzitshme gjithandej, mungesë kreativiteti e depresion kronik në shumicën e ndeshjeve, shkruan Periskopi.
Në fakt, veç infuzionit në dozë dinjitoze që i ka dhënë kësaj fushate skuadra e Malishevës, vështirë se ka pasur ndonjë ndodhi tjetër nënvizuese.
Në dy ndeshjet e luajtura sot në kuadër të javës së katërt, mezi u shënuan tre gola dhe atë krejt në fund të ndeshjeve.
Krasniqi realizoi për Prishtinën nga penalltia në minutën e 84-t, por Gjilani barazoi krejt në fund në 1-1.
Në takimin tjetër, Drenica shënoi në minutën e katërt të kohës shtesë për ta mposhtur Ulpianën 1-0.
Kujtojmë se në të dy këto ndeshje pati nga një karton të kuq, e që rezultoi direkt me gol pastaj, përndryshe vështirë se do ta kishim fatin të shihnim edhe këta dy gola.
Me këtë fitore, Drenica ngjitet në vendin e parë me dhjetë pikë, Prishtina në të shtatin me dy pikë. /Periskopi.com/