SuperLiga e të pasurve: Këto janë ekipet e mëdha evropiane që mbeten jashtë

SuperLiga e të pasurve: Këto janë ekipet e mëdha evropiane që mbeten jashtë

Lajmi për krijimin e një SuperLige Evropiane e përbërë nga ekipet më të pasura ka marrë dhenë dhe ka tronditur botën e futbollit. Reagimet janë të shumta, kryesisht negative, dhe që po adresohen ndaj krerëve të këtyre ekipeve. Dhe, se sa pak kishin të drejtë ekipet e pasura tregojnë madje edhe vetë rezultatet.

Pjesë e 12 ekipeve themeltare të kësaj lige pasanikësh do të jenë Arsenal, Milan, Juventus, Inter, Liverpool, Tottenham, Man. United, Man. City, Real Madrid, Atletico Madrid, Barcelona dhe Chelsea.

Pjesë të kësaj lige pritet të jenë edhe Bayern, Borussia Dortmund dhe Paris Saint Germain.

Por, ajo që godet fort është se nuk ka kritere të përzgjedhjes së ekipeve pjesëmarrëse – duke qenë se jo të gjitha ishin të suksesshme vazhdimisht në garat kombëtare respektive, dhe duke qenë se të gjithave iu garantohet përhershmëria në ligë.

Cilat ekipe të vogla kanë arritur suksese të mëdha?

Premier Liga e Anglisë

Sivjet në Premier Ligë, janë dy ekipe që përbëjnë top-katërshen, ose që kanë zënë vendet që shpijnë në Champions League. Bëhet fjalë për Leicester Cityn dhe West Ham Unitedin.

Një tjetër ekip, i sapo-inkuadruar në elitë pas 16 vitesh, Leeds United, ka arritur rezultate kulmore dhe ka shfaqur futbollin më të bukur në Angli. Edhe nga ekipi i Bielsas, me të drejtë, pritet që të mos lë rehat ekipet e top6-shes famëkeqe qysh në vitin e ardhshëm, shkruan Periskopi.

Leicesteri – që edhe vitin e kaluar ishte në top-6 duke u renditur në vendin e 5 e duke e humbur të 4-in vetëm në xhiron e fundit, pesë vite më parë tronditi Premier Ligën duke e fituar titullin me Claudio Ranierin.

Por, ky format përbën një sulm direkt ndaj 88 ekipeve pjesëmarrëse në katër ligat elitare të Anglisë – duke qenë se të gjitha po arrijnë suksese të jashtëzakonshme në organizim dhe financim.

Serie A e Italisë

Në Serinë A, padrejtësi e madhe iu bëhet ekipeve të dëshmuara elitare si Roma, Lazio e Napoli që nuk janë përfshirë.

Por, në pesë vitet e fundit ishte Atalanta skuadra që vazhdimisht siguronte pjesëmarrjen në garat evropiane. Ky klub futbolli edhe sivjet pritet të jetë prezent në Uefa Champions League pasi aktualisht renditet në vendin e tretë, dy pikë prapa Milanit [që e kishte mposhtur 5-0 para një viti, e 3-0 këtë vit] dhe dy pikë para Juventusit të cilin e mposhti dje me rezultat 1-0.

Bundesliga e Gjermanisë

Në Gjermani, Bayerni pritet t’i bashkohet kësaj nisme, ashtu si edhe Dortmundi. Problemi është se ekipe të mëdha si Leverkusen e Borussia Monchengladbach nuk do të jenë pjesë e saj.

Leipzigu është përmendur si pjesëmarrës i mundshëm.

Ligue 1 e Francës

Ligue 1 e Francës duket se do të përfaqësohet me një ekip në këtë kompeticion. Bëhet fjalë për Paris Saint Germainin.

Por, ekipe që madje kanë pasur suksese edhe në Evropë do të lihen jashtë. Monaco, që ishte finalist i Ligës së Kampionëve më 2004 [ndaj Portos] nuk përfillet fare, ashtu siç nuk përfillet edhe fituesi i Ligës së Kampionëve, Olympique Marseille, dhe Lille apo Olympique Lyon.

Të tjera

Kjo garë duket se do të lë jashtë edhe fitues tjerë të garave evropiane si Porto, Sevilla, Sportingu i Lisbonës, Ajaxi i Amsterdamit etj. /Periskopi

Shpërndaje në: