Sulmuan prokurorin e gjyqtarin, refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës e zyrtarëve të VV’së

Sulmuan prokurorin e gjyqtarin, refuzohet kërkesa për hedhje të aktakuzës e zyrtarëve të VV’së

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e zyrtarëve të Vetëvendosjes për hedhje të aktakuzës, si rrjedhojë pritet të ketë gjykim ndaj tyre lidhur me veprën penale për të cilën akuzohen. Dy zyrtarët e Vetëvendosje, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi po akuzohen nga Prokuroria Speciale për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mos durimit”, ndërsa Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani për veprën penale “kanosje”.

 

 

Vendimi është marrë me 10 maj nga gjyqtari Arben Hoti.

Refuzohen si të pa bazuara kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimi i provave të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve 1.Edi Zenelaj – Av.Shpresa Hasaj – Hyseni, 2. Qerim Elshani – Av.Muharrem Kurtaj, 3.Arlind Manxhuka – Av.Rozafa Berisha dhe 4.Egzon Azemi – Av.Teutë Xhema, të paraqitura kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosoves PPS.nr.08/2023 e dt.08.11.2023”, thuhet në vendimin e gjykatës.

 

 

Për çka po akuzohen njerëzit e VV-së?

Prokuroria Speciale më 7 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Manxhukes, Egzon Azemit për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” ndërsa Qerim Elshanit dhe Edi Zenelaj akuzohen për “kanosje”.

Të njëjti po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.

 

 

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022 duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

“Ashtu që i pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak”, thuhet në aktakuzë.

 

 

Tutje, sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

Shqyrtimi fillestar në këtë çështje penalo juridike ishte caktuar dhe mbajtur me datë 03.04.2024, në të cilin shqyrtim të pandehurve i është lexuar aktakuza, ndërsa kryetari i trupit gjykues pasi është bindur se të pandehurit e kanë kuptuar aktakuzën, të njëjtëve ju ofroi mundësinë që të pranojnë fajësinë, ose të deklarohen të pafajshëm.

 

 

Të gjithë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën e cila i është vënë në barrë nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, shkruan Insajderi.

Në fund të shqyrtimit fillestar gjykata i ka udhëzuar të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre bazuar në dispozitën ligjore të nenin 243 dhe 244 të KPPRK-së, se në afatin prej 10 ditëve nga data e mbajtjes të shqyrtimit fillestar ata mund të paraqesin kundërshtimet e tyre për provat e cekura ne akuzë, të paraqesin kërkesë për hedhje të akuzës dhe të paraqesin kërkesë për hedhje të akuzës për shkak të mos përshkrimit të veprës penale sipas ligjit.

Pas pranimit të kërkesave të palëve mbrojtëse të të akuzuarve, gjykata ka konstatuar se provat janë marrë në mënyrë ligjore nga organet e ndjekjes, gjykata poashtu ka konstatuar se aktakuza e prokurorisë i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara sipas ligjit dhe është e mjaftueshme për të kaluar në fazën e shqyrtimit gjyqësor.

Shpërndaje në: