Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit, Osmani takohet me komandantin e KFOR-it
Pas sulmit të fundit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Në këtë takim Osmani ritheksoi se “sulmi terrorist ndaj infrastrukturës vitale dëshmon qëllimet e Serbisë për destablizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit, duke cenuar sigurinë kombëtare të vendit tonë si dhe duke synuar krijimin e një krize humanitare”.
“Presidentja shprehu vlerësimin e lartë për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar e po ashtu falënderoi KFOR-in, i cili menjëherë ka ofruar të gjitha kapacitetet e tyre për të ndihmuar tejkalimin e kësaj gjendjeje si dhe parandalimin e sulmeve të ngjashme në të ardhmen”, tha Presidenca në njoftim.