Sulmi në Ibër-Lepenc/ Angazhim i lartë i policëve në veri, mbi 12 orë në ditë e pa ditë pushimi
Edhe pas pothuajse dy javë nga sulmi terrorist në Kanalin e Iber Lepencit, Policia e Kosovës është me prezencë të shtuar në katër komunat veriore. Aty janë të përfshirë rreth 2000 zyrtarë policorë të cilët po punojnë mbi 12 orë në ditë e pa ditë pushimi me raste.
Pothuajse çdo pjesë e Veriut të Kosovës është duke u patrulluar nga Policia e Kosovës që nga sulmi terrorist në kanalin e Iber Lepencit.
Shumica nga ta janë nga Stacionet e qyteteve tjera, përfshirë këtu Policinë rajonale të Gjakovës, Klinës e Skenderajt.
Pos saj, ata janë të angazhuar çdo ditë mbi 12 orë dhe pa ditë pushimi me raste.
Sipas informatave të Dukagjinit, në katër komunat veriore të angazhuar janë rreth 2000 zyrtarë.
Sipas zv.Drejtorit të Policisë në rajonin e veriut, Veton Elshani kjo është bërë për shkak të nevojave në terren, sidomos pas sulmit terrorist ne Varagë të Zubin Potokut.
“Kemi asistencë të regjioneve të tjera, në bazë të planeve operacionale. Këtu ne kemi pas polic, 330 që janë këtu dhe nëse kemi ndonjë plan më të madh të angazhimit atëherë angazhohet komplet drejtoria e përgjithshme e Policisë edhe kemi asistencë nga komunat e tjera”, ka deklaruar Elshani.
Nëse kjo situatë është e tepërt për ata zyrtarë të përfshirë në këtë plan operativ, Elshani ka një përgjigje të shkurtë.
“Nuk është punë e palodhshme por është detyrë kështu që konsiderojmë që është në rregull”, ka theksuar Elshani.
Pos njësive patrulluese, në veri janë caktuar edhe pika statike ku qëndrojnë policë të Kosovës.
Ndërkohë, pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, Këshilli i Sigurisë të Republikës së Kosovës kishte marr vendim që pos Policisë së Kosovës në ruajtjen e infrastrukturave kritike në pjesë tjera të Kosovës të përfshihen edhe ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.