Sulmi ndaj Periskopit e Nacionales nga pushteti, Murati: E rrezikshme për demokracinë

Sulmi ndaj Periskopit e Nacionales nga pushteti, Murati: E rrezikshme për demokracinë

Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim, ka deklaruar se sulmi i fundit ndaj mediave, është i rrezikshëm për demokracinë.

Ai ka deklaruar se situata bëhet më serioze kur RTK-ja shpërndanë informacione pa verifikim.

 

Postimi:

Ata që janë të veshur me pushtetin ekzekutiv, për shkak të fuqisë së madhe që kanë do të duhej të jenë më të kujdesshmit në një shoqëri se çfarë gjuhe përdorin kundër kundërshtarëve politik, gazetarëve, shoqërisë civile, biznesmenëve dhe të gjithë atyre që mund të jenë të pakënaqur me punën e tyre. Kur këta persona vendosen në vijën e parë të sulmit të kundërshtarëve politik, e sidomos mediave, siç është rasti këto ditë me sulmin ndaj Nacionales dhe Periskopit, bazuar në një raport të një portali nga Bosnja dhe Hercegovina, e fatkeqësisht të shpërndarë pa asnjë verifikim nga transmetuesi publik RTK, atëherë kjo shndërrohet e rrezikshme për demokracinë. Qeveria dhe eksponentët e tyre i kanë të gjitha mekanizmat e nevojshëm që të hetojnë nëse dikush në këtë vend është në shërbim të Serbisë, dhe le ta bëjnë atë sepse për këtë paguhen nga taksat tona. Por kur pushtetarët sillen si viktima (gjithmonë dikush u ka faj për mospunën e tyre duke filluar nga sistemi i drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, ‘regjimi i vjetër’, e deri tek Serbia dhe ndërkombëtarët ‘e padrejtë dhe të anshëm në favor të Serbisë), dhe fillojnë publikisht ndjekjen e shtrigave, atëherë jo vetëm që rrezikojnë kohezionin shoqëror, por rrezikojnë rritjen e konflikteve shoqërore dhe mund të rrezikojnë edhe jetë të njerëzve, pa zgjidhur në realitet asnjë rrezik dhe problem real. Fatkeqësisht kjo nuk po bëhet për ta ndaluar ndikimin e Serbisë, por për ta shfrytëzuar gogolin Serbi, për t’i luftuar të tjerët, e në këtë rast gazetarët. Edhe ky rast e tregoi se sa urgjente është zgjidhje e problemeve me Serbinë, sepse këtë kastë politikanësh do ta kemi vazhdimisht në pushtet: të tillë që nuk dinë gjë tjetër përveç të thirren përherë në rrezikun nga Serbia.

Shpërndaje në: