Sulmi i frymëzuar nga Shteti Islamik në Nju Orlins rikthen frikën nga grupi terrorist
Të dhënat paraprake të hetimit nga sulmi i përgjakshëm i ditës së parë të vitit të ri në Nju Orlins tregojnë për një skenar të cilit institucionet e rendit dhe drejtësisë i druheshin prej kohësh – një komploti që së paku ishte frymëzuar nga grupi terrorist ‘Shteti Islamik’.
Byroja Federale e Hetimeve, FBI, të mërkurën konfirmoi njoftimet se i dyshuari kishte vendosur flamurin e ISIS-it në kamionin me të cilën goditi turmën në Nju Orlins, në orët e hershme të së mërkurës para se të vritej në një shkëmbim zjarri me policinë.
Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se FBI-ja zbuloi se i dyshuari mori veprime të tjera “pak orë para sulmit” për ta shprehur publikisht besnikërinë e tij.
I dyshuari Shamsud-Din Jabbar, një shtetas 42 vjeçar amerikan dhe ish-rezervist i Ushtrisë amerikane, “postoi video-regjistrime në rrjetet sociale duke treguar se është frymëzuar nga ISIS-i”, tha Biden.
Pavarësisht se çfarë pasqyre do të dalë në fund të hetimeve, detajet e sulmit të Nju Orlins përputhen me taktikat e ISIS-it.
“Ajo që pamë përputhet me modelin që e kemi parë prej kohësh nga Shteti Islamik”, thotë analisti Aaron Zelin nga Instituti i Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt, me ekspertizë për lëvizjet xhihadiste.
Njëri nga sulmet e para të lidhura me ISIS-in ku u përdor makina si armë ndodhi në Nice të Francës, në vitin 2016. Një shtetas 31 vjeçar francez, me origjinë nga Tunizia, i divorcuar dhe që vuante nga depresioni goditi turmën që po festonte Ditën e Bastijës, duke lënë të vdekur 80 persona.
Në nëntor të vitit 2017 ISIS-i gjithashtu mori përgjegjësinë për një sulm me makinë në Nju Jork që shkaktoi vdekjen e të paktën tetë personave.
Edhe pse grupi terrorist ISIS u tkurr për shkak të trysnisë së masave kundër terrorizmit në vendet si Siria dhe Afganistani, udhëheqësit e saj nuk i braktisën kurrë përpjekjet për të frymëzuar sulme të tjera nëpër botë, raporton VOA.