Sulmet e rrezikshme të Kurtit mbi prokurorët që guxuan ta hetojnë për korrupsion mikun e tij, Nagip Krasniqin
Ishte kafshatë e pakapërdishme për kryeministrin Albin Kurti, arrestimi i ish-bashkëpartiakut të tij, Nagip Krasniqit (kryeshef i KEK-ut).
Në tetorin e vitit 2021, Krasniqi ishte përzgjedhur kryeshef i KEK-ut, pak muaj pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, partisë të cilës i kishte shërbyer si drejtues i Komitetit për Energji, por që shumë shpejt kishte rënë në llupën Prokurorisë Speciale të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Në prill të vitit 2023, Krasniqi ishte arrestuar nën dyshimin për vepra penale gjatë ushtrimit të detyrës së tij në KEK.
Më 19 gusht, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit, i cili sipas njoftimit të PSRK-së dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“I pandehuri N.K. në cilësinë e personit zyrtar, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku kishte kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar Sipas aktakuzës i pandehuri N.K. duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar me nenin 414 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”.
KURTI SULMOI PROKURORËT PËR TA MBROJTUR KRASNIQIN
Arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ishte bërë shkak që kryeministri Abin Kurti të drejtojë akuza të shumta kundër Prokurorisë dhe kandidatit për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj.
Vetëm një ditë pas arrestimit, më 20 prill 2023, në seancën e Kuvendit, Kurti kishte shpërthyer dhe i kishte dalë Krasniqit në mbrojtje.
Në mënyrë të paprecedent, Kurti kishte sulmuar drejtuesin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si prokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror”, kishte thënë Kurti.
Duke u pëzier në çështje të drejtësisë, Kurti ka thënë se drejtësia në Kosovë lëngon shkaku që ka prokurorë të cilët nuk dinë dhe as nuk duan që të punojnë. Ndërkaq, ai ka shprehur bindjen se Isufaj nuk do ta marrë pozitën që synon, gjë që ia kishte bërë realitet më pas presidentja Osmani.
“Nuk është e rastësishme që prokurorët vrasjen ta bëjnë vetëvrasje dhe vetëvrasjen ta bëjnë vrasje. Duan të bëhen kryeprokurorë, por nuk do të munden. Jo pse jam unë, jo pse jeni ju, po pse në këtë shtet ka popull”, është shprehur Kurti.
Dhe jo vetëm më 21 prill, por edhe pas seancës së Kuvendit, Kurti dhe vartësit e tij kishin vazhduar sulmet mbi Isufajn. /Demokracia.com/